AKTUALITET, 21 Gusht 2020, 09:40

Hapja e shkollave/ Zbardhet udhërrëfyesi i ISHP-së: Si do të bëhet mësimi në kushtet e koronavirusit

Hapja e shkollave/ Zbardhet udhërrëfyesi i ISHP-së: Si do të


Në pilotimin e parë për hapjen e shkollave më 18 maj për maturantët, ekspertët e Shëndetit Publik hartuan protokollin e masave se si do të bëhej mësim.

Ministria e shëndetësisë po harton strategjinë e re për funksionimin e shkollave, tanimë me kapacitet të plotë.

Por, në vija të përgjithshme, udhërrëfyesi i hartuar që në 4 maj vlen.

Hyrje-daljet e nxënësve në shkolla do të bëhen me grafik dhe sipas një skeme të mirëpërcaktuar nga drejtuesit.

Radhë dyshe në oborr në pritje të mësimit nuk do të ketë.

Një distancë 1.5 deri në 2 metra do të duhet të respektohet si në ambientet e jashtme, ashtu edhe në klasa. Daljet në korridor për nxënësit janë të përjashtuara. Ushqimi në klasë, gjithashtu.

Një personel nga shkolla do të ngarkohet çdo ditë në hyrje të derës për të matur temperaturën me termometër dixhital, si dhe dezinfektimin e duarve të nxënësve.

Kontrolli i shamisë me vete në kohët e dikurshme, tanimë zëvendësohet me maskë.

Edhe gjatë orëve mësimore, nxënësve do t’u flitet vazhdimisht për kontrollin e higjienës, ndërsa shkolla duhet të kryejë çdo ditë pas mësimit dezinfektimin e ambienteve.

Udhërrëfyesi shkon më tej, duke kërkuar për çdo prind, që çdo ditë të plotësojë një formular vetëdeklarimi për situatën shëndetësore, e cila do t’u shërbente epidemiologëve për hetimin e një vatre të mundshme infeksioni.

Nuk dihet se ku mund të nënshkruhet kjo deklaratë nga prindi, i cili, po sipas të njëjtit dokument, nuk lejohet të futet brenda mjediseve të shkollës për asnjë arsye.