LIFESTYLE, 2 Janar 2019, 09:57

Viti i Ri, Stresi urim emocionues për fansat nga burgu

Viti i Ri, Stresi urim emocionues për fansat nga burgu

Reperi i njohur Arkimed Lushaj – Stresi, këtë vit për herë të parë nuk ka pasur fatin që ta festojë pranë familjes natën e ndërrimit të viteve.

Këngëtari vazhdon të jetë i ngujuar në burgun e Fush-Krujës, ndërsa pret të lirohet sërish për të qenë pranë fansave dhe familjes.

Megjithëse i izoluar, ai herë pas here shfrytëzon rrjetet sociale për të krijuar një lidhje me fansat e tij.

Në natën e ndërrimit të viteve, Stresi vendosi që të publikojë një fotografi në rrjetin social Instagram, në mbishkrimin e së cilës bëri një urim emocionues për fansat.

“Uroj që kohët e mira të së tashmes të mbesin kujtime të arta të së nesërmes. Ju dëshiroj shumë dashuri ,gëzime dhe lumturi. Një vit i ri i mbushur me shpresë. U përballa dhe do përballem me shumë sfida në jetë, por nuk do dorëzohem sepse maja e malit do kohë ti ngjitesh dhe të shijosh pamjen, nuk do rri në shpat. Urime viti i ri 2019-tës”, shkruan Stresi në Instagram.

Ndërkohë, të shumta kanë qenë edhe urimet nga ana e ndjekësve të tij, të cilët njëherësh edhe i kanë uruar lirim të shpejtë.

Përndryshe, projekti i fundit muzikor që reperi solli për fansat e tij ishte kënga “Të du mom”, të cilën për fat të keq nuk pati mundësinë ta performonte në netët finale të festivalit “Kënga Magjike”.