AKTUALITET, 11 October 2026, 17:33

"Shtëpia e Lasgushit nuk është më, ajo e Kutelit dergjet mes plehrave”, Auron Tare publikon pamjet e trishta nga Pogradeci

"Shtëpia e Lasgushit nuk është më, ajo e Kutelit

Historiani dhe studiuesi Auron Tare ka ngritur shqetësimin për rrënimin e shtëpive të Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit, në Pogradec, duke denoncuar braktisjen nga Ministria e Kulturës dhe pushteti vendor.

Tare tregon pamjet se si u rrënua shtëpia e Poradecit, ndërsa shtëpia e Kutelit është kthyer në vendgrumbullim mbeturinash.

"Dikur rrugica që hynte Lasgushi për në shtëpi. I përkulur pak me bastunin në dorë, pallton e zezë me republikën në kokë dhe qenin leshator Cuci që e ndiqte pas. Për dekada me rradhë ai kalonte në sheshin e vogël me bar dhe hynte ne rrugicën e vogël shtruar me gurë të rrumbullakët. Shtëpia nuk është më.Kopështi me bar dhe pemët e mëdha nuk egziston. Kroi i vogël është tharë dhe rrugica është mbyllur me mure të larta.
Pamja e rrugicën të trishton dhe tregon qartë se sa shumë Kombi shqiptar respekton poetët e tij"- shkruan Tare.

Krahas pamjeve të trishta, Tare sjell edhe një fragment nga letra e lamtumirës së Kutelit për bashkëshorten, me një mesazh të fortë për dashurinë ndaj atdheut dhe gjuhës shqipe.

Postimi i plotë:

“Rrënojat e Shtëpisë së Mitrush Kutelit”

Prozator, poet e folklorist, publicist, përralltar e kritik letrar, Kuteli i la që në të gjallë kulturës dhe mendimit shqiptar mbi 10 botime letrare.

Shqiptarët i hedhin plehra themeleve të shtëpisë së tij. Vetëm 20 metra nga kopështi i Lasgushit shtëpia është rrënuar dhe ka mbetur vend hedhurinash. Rrugica e ngushtë që dikur lidhte shtëpitë e dy njerzve të letrave është mbyllur me mure dhe gurë si për ti ndarë ata poetë edhe pas vdekjes.

Pjesë nga Letra e lamtumirës për bashkëshorten”

“Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje”

Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli)