AKTUALITET, 5 Qershor 2021, 11:41

Vendimi i Kushtetueses për Zef Hilën, konstitucionalistja: Rikthehet automatikisht në detyrën e kryebashkiakut ose të deputetit

Vendimi i Kushtetueses për Zef Hilën, konstitucionalistja: Rikthehet

Konstitucionalistja Aurela Anastasi ka komentuar për “News 24” vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të “rrëzuar” qeverinë lidhur me shkarkimin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Zef Hila.

Sipas konstitucionalistes Anastasi, vendimi i Gjykatës Kushtetuese e rikthen automatikisht në detyrë kryebashkiakun Hila.

Në këto kushte, sipas saj, ai mund të vendosë se cilin nga funksionet mund të mbajë, atë të kryebashkiakut apo të deputetit, dhe për këtë duhet të deklarojë vullnetin e tij pranë KQZ.

“Zgjedhja e tij si deputet ka qenë në kushte të rregullta, pasi ai kur u zgjodh nuk ka qenë në detyrë.

Ndërkohë vendimi i Gjykatës Kushtetuese e rikthen në detyrë automatikisht. Prandaj, në këto kushte mendoj se ai mund të vendosë se cilin nga funksionet do të mbajë. Për këtë duhet të deklaroje përpara KQZ vullnetin e tij”, ka thënë Anastasi.

Kreu i Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila, u shkarkua nga detyra, pas ngjarjeve të dhunshme të ndodhura në qershor të vitit 2019 në KZAZ nr. 6 në Bushat.

Kur bëri publik vendimin e shkarkimit, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se Hila jo vetëm do të shkarkohej, por edhe do të ndiqej penalisht.

Rama paralajmëroi se kush do të ndjekë shembullin e Zef Hilës do të ketë të njëjtin fat dhe të vihet përpara drejtësisë.

Gati dy vjet pas ngjarjes, Zef Hila u zgjodh deputet i PD në zgjedhjet e 25 prillit. Ai u kandidua në qarkun Shkodër pasi sipas verifikimeve të prokurorisë, rezultoi i pastër dhe i padënuar.