TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Avokati Plarent Ndreca ka reaguar lidhur me transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në paraburgimin e Fierit, duke deklaruar se mbrojtjes nuk i është vënë në dispozicion asnjë akt zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer kjo lëvizje.
Sipas Ndrecës, mungesa e dokumentacionit përbën të paktën mungesë transparence dhe, në rastin më të rëndë, një shkelje të të drejtave të Veliajt.
“Fakt ky që tregon minimalisht mungesë transparence dhe maksimalisht një shkelje e rëndë të të drejtave të zotit Veliaj. Ai ka të gjithë të drejtën ligjore dhe kushtetuese për t’u njohur me aktin mbi bazë të cilit ai transferohet, shkaqet ku është bazuar Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për të bërë këtë transferim, për sa kohë që Veliaj nuk ka shprehur asnjë shqetësim dhe konsensus për këtë lloj transferimi”, tha avokati.
Ndreca drejt burgut të Fierit: Do të verifikoj kushtet
Gjatë intervistës, Ndreca ishte rrugës drejt burgut të Fierit, pasi kishte marrë informacione se Erion Veliaj ishte vendosur në një qeli izolimi.
Avokati theksoi se ende nuk mund ta konfirmonte këtë informacion, ndaj ishte nisur për të verifikuar drejtpërdrejt kushtet në të cilat mbahet kryebashkiaku i Tiranës.
“Sipas informacioneve, rezulton se zoti Veliaj është vendosur në një qeli izolimi, pa dritare, pa kushte normale për të paraburgosurit, megjithatë nuk e konfirmoj dot dhe për këtë arsye jam nisur për të verifikuar këtë fakt. Do përpiqem ta takoj dhe të shikoj se çfarë kushtesh i kanë vënë në dispozicion autoritetet e burgut të Fierit”, u shpreh avokati Plarent Ndreca.
Mbetet për t'u verifikuar nëse Veliaj është vendosur në izolim dhe cilat janë kushtet në të cilat po mbahet pas transferimit në paraburgimin e Fierit.