AKTUALITET, 28 October 2026, 20:28

Shtohen rastet me grip dhe COVID-19, ISHP: Është rritur numri i të prekurve nga infeksionet respiratore, qarkullon edhe A(H1N1)

Shtohen rastet me grip dhe COVID-19, ISHP: Është rritur numri i

Instituti i Shëndetit Publik ka izoluar rastet e para me grip, ndërsa në Shqipëri po qarkullon virusi i tipit A(H1N1), paralelisht me COVID-19.

Situata epidemiologjike ka nisur të rëndohet, për shkak të rritjes së numrit të personave të prekur nga infeksionet respiratore të sipërme dhe të poshtme.

Sipas të dhënave të raportuara nga ISHP, në vend regjistrohen rreth 11 mijë raste me infeksione respiratore çdo javë. Në këtë situatë, një nga pyetjet që shtrohet është nëse virusi i gripit që po qarkullon këtë sezon shfaq simptoma të ndryshme nga ato të virozave të tjera.

Për shkak të qarkullimit të gjerë të virozave në popullatë, duket se qytetarët kanë shtuar interesin për vaksinimin kundër gripit. Deri më tani, është tërhequr mbi 51% e 280 mijë dozave të vaksinës së siguruar për këtë sezon.

Ndërkohë, edhe në Europë po bashkëqarkullojnë gripi dhe COVID-19. Megjithatë, sipas të dhënave të paraqitura në grafik, qytetarët në vende të tjera europiane janë prekur më së shumti nga SARS-CoV-2.