AKTUALITET, 21 Dhjetor 2020, 14:53

Varianti i ri i koronavirusit, Shqipëria ndalon fluturimet me Britaninë e Madhe

Varianti i ri i koronavirusit, Shqipëria ndalon fluturimet me


Përhapja e një varianti të ri të koronavirusit në Britaninë e Madhe, ka detyruar edhe Shqipërinë të ndalojë fluturimet me këtë vend.

Ministrja Manastirliu, lajmëroi se fluturimet do të ndalohen që prej ditës së nesërme, pra 22 dhjetor, deri në datën 6 janar.

Varianti i ri i koronavirusit është rreth 70% më infektues, sipas autoriteteve në Mbretërinë e Bashkuar.

"Kemi vendosur pezullimin e fluturimeve me Britaninë e Madhe duke filluar nga ora 06:00 e ditës së martë, 22 dhjetor, deri në datën 6 janar. Vendoset masa e karantinës së detyrueshme deri në 14 ditë, për shtetasit që mbërrijnë nga ky vend.

Vendosja e izolimit të detyrueshëm 14 ditor vjen si një masë paraprake për të shmangur përhapjen e këtij varianti", deklaroi ministrja".

Shumë vende europiane kanë ndaluar fluturimet nga Britania e Madhe, me qëllim frenimin e përhapjes së variantit të ri të koronavirusit.

Çfarë dimë për variantin e ri të koronavirusit? 

Vetë kryeministri Johnson shpjegoi në konferencë për shtyp, se varianti i ri i virusit, është rreth 70% më i transmetueshëm. Megjithatë, shkencëtarët ende nuk kanë prova që ky virus të jetë më vdekjeprurës, apo që të krijojë rezistencë ndaj vaksinave.

Testime të shumta po zhvillohen për të kuptuar më shumë rreth këtij varianti dhe impaktin e tij të mundshëm, tek vaksinat e sapo aprovuara në mbarë globin.

Analizat përfshijnë rritjen në laborator të variantit të ri, studimin e antitrupave që prodhon dhe testimet e vaksinave kundër Covid-19, ndaj këtij varianti. Autoritetet shëndetësore, janë duke krijuar harta që tregojnë përhapjen e virusit në Mbretërinë e Bashkuar, gjë që do të kërkojë të paktën dy javë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka sqaruar se është në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët në MB, lidhur me këto zhvillime. OBSH i tha BBC-së, se i njëjti mutacion që është shfaqur në Angli, është identifikuar edhe në Hollandë, Danimarkë dhe Australi.

Deri në këto momente, nuk ka të dhëna që të sugjerojnë se varianti i ri ka rrezikshmëri më të lartë.

Nëse varianti i ri do të kishte një impakt të madh në rrezikshmërinë e sëmundjes, do ta kishim parë një gjë të tillë deri tani. Rastet e shtrimit në spitale në raport me rastet e infektimeve ose do të ishin shtuar shumë ose do të ishin zvogëluar në mënyrë dramatike, por ato janë pak a shumë njëlloj“, u shpreh zëvendës drejtori i Laboratorit Europian të Biologjisë Molekulare

/TPZ.al/