TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Autoritetet marokene kanë ndaluar të shtunën më shumë se 100 emigrantë që po përpiqeshin të kalonin drejt Ceutës, dy javë pas fluksit masiv të rreth 80 mijë emigrantëve që mbërritën në territorin spanjoll. Burime të sigurisë në Marok, të cituara nga mediat spanjolle dhe Reuters, bëjnë me dije se 111 persona u ndaluan teksa përpiqeshin të mbërrinin në kufi, në periferi të qytetit Fnideq, i njohur në spanjisht si Castillejos, ose në zonat përreth, rreth 3 kilometra larg kufirit.
Shumica e emigrantëve vinin nga Afrika Sub-Sahariane. Sipas BBC, policia marokene përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet e emigrantëve që ishin mbledhur në kodrat pranë zonës.
Më herët, rreth 78 mijë emigrantë kishin mbërritur në Ceuta, territor spanjoll në Afrikë i rrethuar nga Maroku, përmes detit brenda vetëm pak orësh. Sipas autoriteteve lokale, rreth 100 persona humbën jetën. Pas incidentit që shkaktoi një krizë të rëndë, autoritetet spanjolle dhe marokene kanë forcuar masat e sigurisë në zonë, mes raportimeve dhe thashethemeve në rrjetet sociale se gjatë kësaj fundjave mund të zhvillohej një tjetër përpjekje masive për kalimin e kufirit.
Pak ditë më parë, Maroku deklaroi se po monitoronte “qarkullimin e postimeve në rrjetet sociale dhe mesazheve me origjinë të panjohur”, të cilat bënin thirrje për një kalim masiv të kufirit këtë të shtunë. Autoritetet marokene paralajmëruan gjithashtu se do të ndiqnin penalisht organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë thirrje. Nga ana tjetër, Spanja ka dislokuar më shumë se 1,500 efektivë policie për të patrulluar zonën dhe për të parandaluar përpjekjet për kalimin masiv të kufirit.