BOTA, 16 August 2026, 10:42

Tragjedi në Hungari! Aksidentohet autobusi, 12 të vdekur, 10 të plagosur

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 10 të tjerë janë plagosur në një aksident të rëndë rrugor në Hungari, ku u përfshi një autobus me targa polake. Lajmin e bëri të ditur të dielën në mëngjes kryeministri i Hungarisë, Peter Magyar, përmes një postimi në Facebook.

Autobusi doli nga rruga, ra në një kanal dhe u përmbys gjatë natës mes së shtunës dhe të dielës, pranë qytetit Mezőkeresztes, në lindje të Hungarisë. Sipas raportimeve të mediave lokale, në autobus, i cili kishte dy drejtues, ndodheshin 57 persona.

“12 persona humbën jetën dhe të paktën 10 të tjerë u plagosën rëndë gjatë natës, pasi një autobus me targa polake doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal në autostradën M3”, shkroi kryeministri Magyar.

Ai shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave dhe falënderoi të gjithë personat e angazhuar në operacionin e shpëtimit.