TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një vepër e rrallë e Pablo Pikasos, e cila u vodh nga një galeri arti në Milwaukee në vitin 2018, është gjetur pas tetë vitesh brenda një apartamenti të boshatisur, pasi qiramarrësi ishte dëbuar.
Bëhet fjalë për veprën “Torero”, një gravurë e nënshkruar nga Pikaso dhe një nga vetëm 30 kopjet e njohura të saj. Në vitin 2018, kur u vodh, vepra vlerësohej nga 35 mijë deri në 50 mijë dollarë. Sipas Bill DeLind, vlera e saj nuk ka ndryshuar shumë që atëherë, por historia e jashtëzakonshme e rikthimit mund ta çojë vlerën drejt 50 mijë dollarëve.
Bill DeLind mendonte se vepra ishte humbur përgjithmonë, derisa policia e telefonoi dhe i kërkoi të shikonte një vepër arti që ishte gjetur nga pronari i një apartamenti.
Zbulimi ndodhi kur pronari i apartamentit, Tim Dertz, po pastronte banesën pasi kishte dëbuar qiramarrësin. Dertz e gjeti veprën të varur në mur, në një vend disi të pazakontë. Ajo ishte e mbuluar me një shtresë të madhe pluhuri, duke lënë të kuptohej se kishte qëndruar aty për një kohë të gjatë.
Dertz ia tregoi veprën një miku të tij, tregtar antikitetesh, i cili e njohu si një Picasso dhe dyshoi se mund të ishte pikërisht vepra e raportuar e vjedhur në vitin 2018.
Pas kësaj, Dertz e dorëzoi veprën në polici. Autoritetet e Milwaukee-t kontaktuan më pas Bill DeLind, i cili e njohu menjëherë.
“Isha i shokuar, nuk kisha fjalë. Ishte një moment tronditës për mua”, tha DeLind.
Një detaj që ndihmoi në konfirmimin e origjinës së veprës ishte etiketa e kompanisë DeLind Fine Art Appraisals, e cila ishte ende në pjesën e pasme të kornizës, pikërisht aty ku ishte vendosur në vitin 2018.
“Ishte me të vërtetë ai punim. U kthye gjithçka në pikën e nisjes”, tha DeLind.
Vjedhja kishte ndodhur në vitin 2018 nga galeria e DeLind në Milwaukee. Vepra ishte në pronësi të një klienti që e kishte lënë në galeri për t’u shitur.
Pas zhdukjes së saj, rasti mbeti i pazgjidhur për vite me radhë. DeLind dhe ish-partneri i tij e ndoqën vazhdimisht çështjen, duke shpresuar se vepra do të gjendej një ditë.
Ish-partneri i DeLind, i cili ndërroi jetë në shkurt të këtij viti, ishte veçanërisht i prekur nga vjedhja. Sipas DeLind, ai telefononte policinë çdo vit në përvjetorin e krimit dhe kërkonte që rasti të publikohej sërish, me shpresën se dikush do ta njihte veprën dhe do të çonte në gjetjen e saj.
“Ai do të ishte shumë i lumtur për këtë. Ishte diçka e veçantë për të”, tha DeLind.
Ndërkohë, Departamenti i Policisë së Milwaukee-t tha se afati i parashkrimit për vjedhjen dhe krimet e pronës është përgjithësisht gjashtë vjet, por çështja mbetet nën hetim. Zëdhënësja e FBI-së në Milwaukee, Caroline Clancy, nuk pranoi të komentojë për rastin.
Vepra e artit ndodhet aktualisht në posedim të Policisë së Milwaukee-t. Klienti që e kishte lënë veprën për shitje në galeri po zgjidh çështjen me kompaninë e tij të sigurimeve.
DeLind tha se, përveç vlerës së saj financiare, historia e rikthimit pas tetë vitesh mund ta bëjë veprën edhe më interesante për koleksionistët.
Zbulimi i “Torero” erdhi në mënyrë krejt të rastësishme, gjatë pastrimit të një apartamenti të lënë bosh pas dëbimit të qiramarrësit. Pikërisht aty, e harruar dhe e mbuluar nga pluhuri, ndodhej vepra që prej tetë vitesh konsiderohej e humbur.
Nga një vjedhje e pazgjidhur në vitin 2018, te një zbulim i papritur në një apartament bosh në vitin 2026, historia e “Torero” tashmë është kthyer në një prej rasteve më të pazakonta të rikthimit të një vepre arti të vjedhur.