BOTA, 11 August 2026, 20:36

UNESCO: 2.4 milionë vajza në Afganistan privohen nga arsimi, shifra mund të arrijë në 4 milionë deri më 2030

Rreth 2.4 milionë vajza në Afganistan janë aktualisht të privuara nga arsimi i mesëm për shkak të politikave të qeverisë talebane. Shifra është pjesë e një vlerësimi të publikuar sot nga UNESCO, e cila paralajmëron se numri mund të rritet në gati 4 milionë deri në vitin 2030.

Afganistani është aktualisht i vetmi vend në botë ku vajzave dhe grave u ndalohet arsimimi përtej nivelit fillor.

Pas marrjes së pushtetit në vitin 2021, talebanët vendosën kufizime të forta ndaj të drejtave të grave, duke i përjashtuar nga shkollat e mesme dhe universitetet, si dhe duke kufizuar ndjeshëm pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës.

UNESCO e konsideron këtë politikë një shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe paralajmëron se pasojat e saj do të jenë të mëdha edhe për ekonominë afgane.

Sipas organizatës, në një vend ku pothuajse gjysma e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë, mohimi i arsimit dhe punësimit për gratë dobëson aftësinë e familjeve për të siguruar të ardhura dhe pengon zhvillimin ekonomik.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se vajzat që nuk kanë mundësi të vazhdojnë shkollimin përballen me një rrezik më të madh për martesë në moshë të re, si dhe me pasoja negative për mirëqenien e tyre.

Humbje prej 9.6 miliardë dollarësh për ekonominë

UNESCO vlerëson se Afganistani mund të humbasë rreth 9.6 miliardë dollarë të ardhura deri në vitin 2066, pasi shumë gra të arsimuara mund të mos kenë mundësi të marrin pjesë në fuqinë punëtore.

Për të zbutur pasojat e ndalimit të arsimit, UNESCO po ofron programe alternative arsimimi në Afganistan.

Që nga viti 2021, në këto programe kanë marrë pjesë më shumë se 69 mijë persona, rreth 70% e të cilëve janë vajza dhe gra.