BOTA, 11 August 2026, 15:09

Keqtrajtonin fëmijët në çerdhe, arrestohen pronarja dhe edukatorja në Itali. Dyshohet edhe per mungesë uji dhe ushqimi

Keqtrajtonin fëmijët në çerdhe, arrestohen pronarja dhe

Dy gra, pronarja e një çerdheje dhe një edukatore 24-vjeçare, janë arrestuar në Itali nën akuzën për keqtrajtim të fëmijëve dhe ushtrim të paligjshëm të profesionit.

Ngjarja është regjistruar në një çerdhe në provincën e Monzës dhe Brianza-s, ku dyshohet se fëmijëve, të moshës nga disa muaj deri në 3 vjeç, nuk u sigurohej në mënyrën e duhur ushqim dhe ujë.

Sipas hetimeve të kryera nga Skuadra Mobile e Komisariatit të Monzës, në çerdhe dyshohet se kishte praktika ndëshkuese degraduese, mangësi në kujdesin ndaj fëmijëve, si dhe sjellje të papërshtatshme ndaj tyre.

Masa e arrestit shtëpiak ndaj pronares 42-vjeçare dhe edukatores 24-vjeçare u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të së hënës, më 10 gusht. Urdhri i masës së sigurisë është firmosur nga gjyqtari i hetimeve paraprake në Monza, me kërkesë të Prokurorisë.

Edukatorja punonte pa kualifikim

Hetimet, të nisura në muajin prill, kanë zbuluar gjithashtu se edukatorja 24-vjeçare punonte që prej muajit janar pa pasur kualifikimin e nevojshëm profesional. Sipas hetuesve, edhe pronarja akuzohet se e ka punësuar atë në këto kushte për rreth shtatë muaj.

24-vjeçares i atribuohet gjithashtu përdorimi i kontakteve fizike të konsideruara tepër të forta dhe të papërshtatshme ndaj disa fëmijëve, të cilët shfaqnin shenja shqetësimi. Pikërisht reagimet e disa prej fëmijëve pas një denoncimi çuan në nisjen e hetimeve.

Nën hetim edhe dy edukatore të tjera

Në kuadër të të njëjtit hetim janë identifikuar edhe dy edukatore të tjera, 32 dhe 49 vjeç, ndaj të cilave janë mbledhur elemente të dyshuara, por që aktualisht nuk janë subjekt i ndonjë mase sigurie.

Policia ka kryer kontrolle në banesat e të dyshuarave, në provincat e Monzës dhe Brianza-s, Bergamos dhe Parmës.

Kontrollet janë shtrirë edhe në ambientet e çerdhes ku dyshohet se kanë ndodhur ngjarjet, me qëllim gjetjen e provave të tjera që mund të ndihmojnë hetimin. Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht përgjegjësitë dhe rrethanat e rastit.