BOTA, 11 August 2026, 20:30

Mbi 175 mijë viza të anuluara që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, SHBA publikon arsyet

Mbi 175 mijë viza u janë anuluar shtetasve të huaj që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, bëhet fjalë për persona që dyshohet se kanë shkelur kushtet e vizës, kanë kryer vepra penale, kanë mashtruar autoritetet amerikane, kanë abuzuar me sistemin e emigracionit ose janë konsideruar rrezik për sigurinë kombëtare.

Autoritetet amerikane bëjnë me dije se shumë prej personave të prekur nga anulimi i vizave kishin pasur probleme me drejtësinë për akuza të ndryshme, përfshirë drejtimin e mjetit në gjendje të dehur, sulmet fizike, vjedhjet, veprat penale të lidhura me drogën, dhunën në familje, abuzimin me fëmijët dhe mashtrimin.

Në listën e rasteve të publikuara përfshihen edhe persona të akuzuar për përdhunim, trafikim dhe shfrytëzim seksual të një të miture.

Rubio urdhëron dëbime për arsye të politikës së jashtme

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka vendosur gjithashtu që disa shtetas të huaj të dëbohen për arsye që lidhen me politikën e jashtme.

Mes rasteve të përmendura janë një shtetas kuban i lidhur me një fushatë ndikimi të Havanës, shtetas iranianë me lidhje me qeverinë e Teheranit, si dhe një shtetas kuvajtian i akuzuar për deklarata armiqësore ndaj presidentit të SHBA-së.

Në një tjetër rast, një ambasadë amerikane në Afrikën e Veriut anuloi më shumë se 100 viza të prindërve, të cilët, sipas autoriteteve, udhëtonin në SHBA kryesisht për të lindur fëmijët atje, me qëllim që ata të fitonin shtetësinë amerikane.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, numri i vizave të anuluara që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë është rreth katër herë më i lartë se numri i vizave të anuluara gjatë vitit të fundit të administratës Biden.