AKTUALITET, 26 Korrik 2019, 16:26

U vra dhe u hodh në kanal, bashkëpunëtorja nxjerr detaje nga vrasja e Latos: E futën në kurth, ne s’do të rrimë rehat

U vra dhe u hodh në kanal, bashkëpunëtorja nxjerr detaje nga

Bashkëpunëtorja e presidentit të vetëshpallur të Republikës së Çamërisë, Festim Lato, Sadrie Kasimi ka treguar detaje nga krimi i ndodhur në Holandë.

Kasimi në një prononcim për Report Tv ka treguar se ishte një bashkëpunëtor holandez i Latos ai që e futi në kurth.

Gjatë prononcimit të saj, ajo nuk e bën të ditur emrin e tij por thotë se këto informacione i ka mësuar nga të njohur të saj në Holandë dhe vetë kryeministri i vetëshpallur i republikës çame, Ali Aliu.

“E morën, e gënjyen me metodën e tyre që do shiste makinën, dhe e morën e vranë. ishte një djalë holandez që ka marrë pjesë në republikën e Çamërisë dhe ka ardhur 4 herë në Vlorë nga Holanda. Festim Lato ishte me dy njerëz të tij në makinë, e ka thirrur ky djalë i ka thënë do vish se jam me dy njerëz do e shesësh makinën, do vish në kafe? Ai i la të gjitha në makinë, me telefonë dhe ata e morën e vranë. Vec të mira i ka bërë popullit çam, na ka ndihmuar në çdo prizëm, na ka ardhur shumë keq, sikur më ka vdekur djali im, jo një president. Nuk e di si e mashtruan. Të njëjtën gjë na tha edhe kryeministri i republikës Came, Ali Aliu na e sqaroi gjendjen. Në familjen e tyre ka rënë bombë e madhe. E kemi pritur këtë vrasje sikur ka vrarë të gjithë çamët. I lutem Ministrit të Punëve të Jashtme të mos e mohojë Çamërinë. Ne nuk do rrimë rehat tani që na bënë edhe këtë vrasje. Kush e vuri atë njeri që e vranë, dhe në fund t’i fusin thikën ashtu dhe ta lëshojnë rrugëve, është çudi e madhe”, u shpreh bashkëpunëtorja e Latos për çështjen çame, Sadrie Kasimi.

Lajmi se presidenti i vetëshpallur i Republikës së Çamërisë, Festim Lato është ekzekutuar në Holandë nga persona ende të paidentifikuar u bë publik nga familjarët. Sipas policisë holandeze ai është vrarë dhe më pas është hedhur në një kanal nga persona ende të paidentifikuar.

Gjatë qëndrimit të tij në Holandë, Lato kishte qëndruar në një shtëpi në Afferden. Por gjërat nuk kishin shkuar shumë mirë për të pasi Lato kishte falimentuar me biznesin e tij. Kjo i kishte sjellë atij edhe shumë borxhe, gjë që po hetohet si pistë e mundshme nga autoritetet vendase.

I vetëshpallur si ‘President i Republikës së Çamërisë’ ai lindi në Vlorë në vitin 1976, ndërsa jetonte në Holandë. Sot familja e tij, e cila jeton në Vlorë ka hapur dyert e mortit dhe nesër presidentit Lato do të përcillet në banesën e fundit.