AKTUALITET, 3 Qershor 2021, 14:25

U kapën me eksplozivë dhe granata, Gjykata e Durrësit jep masën e sigurisë për tre të arrestuarit

U kapën me eksplozivë dhe granata, Gjykata e Durrësit jep

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për të tre trafikantët e arrestuar gjatë operacionit të koduar “Binomi”, ku u sekuestruan 3.4 kg lëndë eksplozive tritol dhe C-4, një kallashnikov, municion luftarak, granata dore dhe kapsolla detonatore.

Një prej të arrestuarve, rezulton i dënuar më parë për dy vepra penale.

Në burg u lanë:

Barim Flora, 42 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja”.

Ardjan Gjoka, 33 vjeç dhe Jemin Flora., 33 vjeç, banues në Tiranë.

Hetimet e policisë:

Sipas bluve, hetuesve u janë dashur një muaj për të bërë të mundur dokumentimin me prova ligjore të veprimtarisë kriminale.

Mësohet se këta shtetas trafikonin armë, lëndë eksplozive dhe municione, në qytetet e Tiranës dhe Durrësit.

“Bazuar në këto prova, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit”, Durrës, në kuadër të operacionit “Binomi”, u bë kapja dhe arrestimi i këtyre personave. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Land-Rover Frilander”, me drejtues shtetasin J. F. dhe pasagjerë shtetasit B. F. dhe A. Gj., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale:

• 1.2 kg eksploziv i paketuar i dyshuar i llojit C-4;

• 2.2 kg lëndë eksplozive e dyshuar tritol;

• 3 granata dore luftarake;

• 4 aparate telefoni celular.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti tip “Land-Rover Frilander”.

Po në funksion të procedimit penal të nisur një muaj më parë për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov dhe 1.2 kg lëndë eksplozive tritol, 5 kapsolla detonatore dhe një sasi municioni luftarak.

Vazhdon puna për dokumentimin e plote ligjor të kësaj veprimtari kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të”, bëri me dije policia.