AKTUALITET, 11 Mars 2021, 17:37

Turqi/ Policia arreston 13 persona për akuzën e “fyerjes” ndaj Erdoganit

Turqi/ Policia arreston 13 persona për akuzën e “fyerjes”

Policia turke ka arrestuar 13 persona që morën pjesë në një marshim gjatë Ditës së Grave për gjoja fyerjen e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, thanë të enjten zyrtarët dhe raportet e lajmeve.

Mijëra protestues marshuan përgjatë një rruge në Stambollin qendror të hënën për të denoncuar dhunën ndaj grave në Turqi, ku më shumë se 400 gra u vranë vitin e kaluar. Ndryshe nga vitet e mëparshme kur policia prishi demonstrata të ngjashme, marshimi kësaj here përfundoi paqësisht.

Sidoqoftë, policia më vonë inspektoi videot e demonstratës dhe të mërkurën arrestoi 13 persona – përfshirë një të mitur – të cilët morën pjesë në protestë, tha zyra e guvernatorit të Stambollit.

Gazeta Cumhuriyet dhe media të tjera thanë se të dyshuarit u arrestuan për t’u marrë në pyetje mbi parullat e gjykuara si fyese për Erdoganin.

Fyerja e presidentit është krim në Turqi, dënohet me deri në katër vjet burg. Mijëra njerëz, përfshirë gazetarë, politikanë, aktorë dhe nxënës të shkollës, janë ndjekur penalisht për fyerje të pretenduara ndaj Erdogan.

Paraburgimet erdhën pavarësisht nga një premtim i Presidentit javën e kaluar për të miratuar reforma të të drejtave të njeriut, përfshirë lirinë e fjalës.