BOTA, 28 August 2026, 12:26

Trump: Putin nuk do të sulmojë NATO-n! Bisedova me të, ja pse udhëtoi shefi i CIA-s në Rusi

Skenari i një sulmi rus kundër NATO, ka shkaktuar alarm rreth Europës, por presidenti amerikan Donald Trump është bindur që diçka e tillë nuk do të ndodhë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë minimizoi raportimet mediatike se drejtori i CIA-s John Ratcliffe kishte paralajmëruar zyrtarët rusë kundër një sulmi të mundshëm ndaj një shtetit të NATO-s, gjatë një vizite të beftë më herët gjatë javës në Rusi.

Trump tha se presidenti Putin e ka siguruar nuk do të sulmojë territorin e NATO-s dhe po ashtu përgënjeshtroi faktin që Ratcliff kishte udhëtuar drejt Rusisë për të përcjellë ndonjë mesazh të veçantë.

Në një prononcim të mëhershëm për Axios, Trump tha se shefi i CIA-s takohet çdo vit me homologun rus, me të cilin siç thotë ka zhvilluar një marrëdhënie shumë të mirë. edhe kreu i inteligjencës ruse, Sergei Naryshkin minimizoi rëndësinë e takimit, duke e cilësuar atë si të zakonshëm. 

Zyrtarë të inteligjencës europiane dhe amerikane prej kohësh po monitorojnë akte sabotazhi dhe sulme në ashtuquajturën “zonë gri” nga Rusia në Evropë. Këto veprime mbeten nën pragun e një lufte të hapur dhe synojnë, në përgjithësi, të dobësojnë unitetin e NATO-s dhe gatishmërinë e vendeve anëtare për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës përballë agresionit rus.

Mes skenarëve të mundshme të cilave perëndimi u druhet, është përdorimi i një rakete ukrainase nga Rusia për të sulmuar një vend të Europës Lindore ose verilindore, në një operacion të inskenuar që fsheh autorësinë ruse. Kremlini i cilësoi si  raportime të pavërteta e alarmuese, lajmet se Rusia mund të sulmojë NATO-n.