TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-shefi i Sektorit të Shërbimeve në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit në Korçë, Stiljan Pasho, është dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim për trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim. Ai akuzohet se ka shfrytëzuar detyrën për të lehtësuar kalimin e 26 kilogramëve kanabis drejt Greqisë, duke penguar kontrollet në pikën kufitare të Kapshticës.
Për të njëjtën çështje, bashkëpunëtori Elton Grabocka është dënuar me 8 vite e 8 muaj burgim. Ndërkohë, Lorenco Lika dhe Ervin Ibi, të përfshirë në episodet e trafikimit, janë arrestuar në Greqi, ku janë hetuar dhe dënuar nga Gjykata e Apelit të Maqedonisë Perëndimore.
Si u realizua trafikimi i 26 kilogramëve kanabis?
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Korçës, ngjarjet kanë ndodhur më 27 nëntor 2023 dhe më 6 maj 2024, kur Pasho mbante detyrën e zv/drejtorit të Kufirit në qarkun e Korçës dhe më pas atë të shefit të Sektorit të Shërbimeve në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit.
Rasti që bëri bujë në media lidhet me kalimin e një automjeti tip “Passat”, në të cilin ishin fshehur 26 kilogramë kanabis, të ndarë në 27 pako dhe të vendosur në depozitën e impiantit të gazit.
Sipas Prokurorisë, Pasho dyshohet se ka favorizuar Lorenco Likën, duke urdhëruar dhe ndikuar te vartësit e tij që të mos ushtronin kontroll ndaj automjetit. Për të siguruar kalimin e drogës drejt Greqisë, ai dyshohet se ka hipur në të njëjtën makinë me Likën, deri në territorin grek, dhe më pas është kthyer në këmbë në Shqipëri.
Lika u kap nga autoritetet greke me sasinë e drogës, ndërsa më 30 nëntor 2023, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrestoi ish-shefin e Kufirit, Stiljan Pasho.
Prokuroria: Droga mund të kapte vlerën deri në 117 mijë euro
Në fillim të vitit 2025, Prokuroria e Korçës dërgoi për gjykim Pashon dhe Elton Grabockën, duke i akuzuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, sipas nenit 283/a/2 të Kodit Penal.
Në njoftimin zyrtar, organi i akuzës bëri me dije se hetimet nisën pas informacioneve të mbërritura në rrugë operative, sipas të cilave kryekomisari Pasho dyshohej se ishte përfshirë në veprimtari të kundërligjshme të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës.
“Ky punonjës policie me veprime konkrete dhe në kundërshtim me atributet që i jep ligji, ka bashkëpunuar duke favorizuar shtetasin Lorenco Lika në kalimin e kufirit në Kapshticë pa i’u nënshtruar kontrollit kufitar, duke urdhëruar dhe ndikuar tek vartësit e tij që mos kryenin kontroll. Shtetasi në fjalë, u kap më pas nga pala greke me 26 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sattiva”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Korçës.
Sipas organit të akuzës, Pasho dhe Grabocka, në bashkëpunim me Likën dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë realizuar një qëllim të përbashkët për të trafikuar lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë.
“Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, rezultoi e provuar se këta shtetas në bashkëpunim me shtetasin Lorenco Lika të arrestuar në Greqi dhe persona të tjerë të paidentifikuar kanë realizuar një qëllim të përbashkët kriminal duke bërë të mundur trafikimin nga territori i Republikës së Shqipërisë drejt Greqisë, të një sasie lënde narkotike të llojit Cannabis Sativa, e ndarë në 27 pako, e cila nëse do të hidhej në treg, do të sillte përfitime monetare për organizatorët e kësaj veprimtarie nga 75.000 - 117.000 euro”, njofton Prokuroria e Korçës.
Dënimet për të përfshirët në çështje
Fillimisht, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Valjona Haxhiraj, Eda Dika dhe Gentiana Shukullari e dënoi Pashon me 11 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul me një të tretën, duke u caktuar përfundimisht në 7 vite e 4 muaj burgim.
Gjatë procesit gjyqësor, Pasho nuk e pranoi akuzën e trafikimit të narkotikëve, duke pretenduar se kishte kryer vetëm veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Ky version nuk u konsiderua i besueshëm nga Gjykata e Korçës.
Edhe Elton Grabocka u dënua fillimisht me 13 vite burgim, por pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tij përfundimtar u caktua në 8 vite e 8 muaj burgim.
Ndërkohë, Lorenco Lika dhe Ervin Ibi janë arrestuar në Greqi dhe janë përballur me procedurat gjyqësore atje.
Hetimet e Prokurorisë së Korçës nxorën në pah dy episode të trafikimit të lëndëve narkotike, ku, sipas akuzës, pozicioni zyrtar i ish-shefit të Kufirit është përdorur për të lehtësuar kalimin e drogës përmes pikës kufitare të Kapshticës drejt territorit grek.