AKTUALITET, 12 October 2026, 20:49

Elbasan/ Grabitje e dhunshme në mes të natës, pesë persona të maskuar si policë terrorizojnë familjen: Nipit i vunë pistoletën në kokë

Elbasan/ Grabitje e dhunshme në mes të natës, pesë persona

Një grabitje e dhunshme ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në lagjen “5 Maji”, në Elbasan, ku pesë persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë hyrë me armë zjarri në një banesë, duke kërcënuar familjarët që ndodheshin në gjumë.

Sipas Policisë, ngjarja është regjistruar rreth orës 04:05 të mëngjesit të kësaj të hëne. Autorët, të maskuar si efektivë policie dhe të pajisur me armë zjarri, kanë hyrë në banesë dhe kanë kërcënuar pronarin, duke i kërkuar fillimisht armë dhe drogë, e më pas para dhe sende me vlerë.

Pronari i banesës, Lorenc Zerellari, ka rrëfyer për mediat momentet e frikshme të përjetuara gjatë grabitjes. Ai ka treguar se autorët e kanë kërcënuar me armë, ndërsa nipit të tij 19-vjeçar i kanë vendosur pistoletën në kokë.

“Ngjarja ka ndodhur në 4 të mëngjesit. Ishim duke fjetur gjumë. Të maskuar si policë më thanë mos lëviz, ‘Policia’. Në fillim më thanë ku e ke pistoletën dhe drogën, pastaj më pyetën ku i kisha lekët. Nipit i vunë pistoletën në kokë. E gjithë ngjarja zgjati për 15 minuta. Në shtëpi kishim 6 fëmijë, janë traumatizuar. Nuk e di kush e ka bërë këtë gjë”, ka deklaruar Lorenc Zerellari.

Edhe nipi 19-vjeçar ka treguar për frikën e përjetuar gjatë ngjarjes, duke deklaruar se grabitësit e kanë goditur me pistoletë.

Familjarët kanë rrëfyer se ngjarja ka shkaktuar panik të madh në banesë, veçanërisht te gjashtë fëmijët që ndodheshin brenda në momentin e grabitjes.

Sipas Policisë, autorët kanë marrë katër telefona celularë dhe një shumë parash. Nga ana tjetër, familjarët kanë deklaruar se u janë vjedhur rreth 3 mijë euro dhe tre telefona. Vlera e plotë e sendeve të grabitura pritet të përcaktohet gjatë hetimeve.

Pas largimit të autorëve, familjarët kanë dhënë alarmin dhe janë vënë në ndjekje të tyre.

Sapo kanë konstatuar praninë e efektivëve të Policisë, të dyshuarit janë larguar drejt një zone kodrinore, duke braktisur automjetet dhe duke përfituar nga errësira. Sipas raportimeve, ata janë ndjekur edhe nga një patrullë policie.

Gjatë veprimeve hetimore, Policia ka gjetur dhe sekuestruar dy automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes. Gjithashtu, janë sekuestruar veshje të ngjashme me uniformat e Policisë dhe prova të tjera që pritet t'i shërbejnë hetimit.

Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e pesë personave të dyshuar, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.