AKTUALITET, 12 October 2026, 21:04

Gafa me IA e autoriteteve britanike ndaj familjes siriane që kërkonte azil: Merrni 3 mijë paund dhe shkoni në Shqipëri

Gafa me IA e autoriteteve britanike ndaj familjes siriane që kërkonte

Një familje siriane që prej vitesh jeton në Skoci, në pritje të zgjidhjes së kërkesës për azil, është përballur me një ofertë të pazakontë nga autoritetet britanike: 3 mijë paund ndihmë financiare për të nisur një jetë të re në Shqipëri, një vend me të cilin familja nuk ka asnjë lidhje.

Rasti, i raportuar fillimisht nga gazeta skoceze The Sunday National, ka ngritur pikëpyetje mbi saktësinë e procedurave administrative të Ministrisë së Brendshme britanike (Home Office). Ndërkohë, pas publikimit të lajmit, Ambasada e Shqipërisë në Londër ka mohuar ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë mes dy vendeve.

Oferta i është komunikuar përmes një letre zyrtare 39-vjeçarit sirian Fadi Alsakka, i cili jeton në Glasgow së bashku me bashkëshorten Lojain dhe dy fëmijët e tyre, Ayman, 11 vjeç, dhe Ayla, 10 vjeçe.

Në dokumentin e autoriteteve britanike thuhet se ndihma financiare mund ta ndihmojë familjen të ndërtojë të ardhmen e saj afatgjatë në Shqipëri.

Për familjen, përmendja e Shqipërisë ishte e papritur, pasi asnjë prej anëtarëve të saj nuk ka lidhje familjare apo shoqërore me vendin tonë dhe as përvojë të mëparshme jetese këtu.

“Gabime të tilla nuk mund të tolerohen kur bëhet fjalë për jetën dhe të ardhmen e njerëzve. Një gabim i tillë mund të jetë fatal”, u shpreh Alsakka për The Sunday National.

Ambasada shqiptare mohon marrëveshjen me Britaninë

Pas publikimit të rastit në mediat skoceze, Ambasada e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar ka reaguar duke mohuar ekzistencën e një marrëveshjeje për pranimin ose zhvendosjen në Shqipëri të shtetasve sirianë apo të azilkërkuesve të tjerë jo shqiptarë.

Ky reagim ngre pikëpyetje mbi arsyen pse Shqipëria është përmendur si destinacion i mundshëm në letrën e dërguar nga Home Office, ndërkohë që pala shqiptare mohon ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë.

Deri më tani, nuk është bërë e ditur se si ka përfunduar emri i Shqipërisë në dokumentin zyrtar që i është dërguar familjes siriane.

Familja dyshon për gabime në procedurat e azilit

Rasti ka rikthyer vëmendjen te mënyra se si autoritetet britanike trajtojnë dosjet e azilkërkuesve, në një kohë kur qeveria po përpiqet të përshpejtojë shqyrtimin e mijëra aplikimeve të mbetura pezull.

Familja Alsakka dyshon se pasaktësitë mund të lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale në proceset administrative. Megjithatë, sipas raportimit të The Sunday National, inteligjenca artificiale nuk është përdorur për hartimin e letrës ku Shqipëria përmendet si destinacion për familjen.

Shqetësimet për përdorimin e kësaj teknologjie vijnë pas një raportimi të gazetës The Independent, sipas të cilit kontrollet e brendshme të Home Office zbuluan se 45 nga 203 përmbledhje të shqyrtuara nga sistemi i inteligjencës artificiale nuk përmbushnin standardet e kërkuara të saktësisë, ose rreth 22% e rasteve të kontrolluara.

Sistemi përdoret për të përmbledhur transkriptet e intervistave të azilkërkuesve, me qëllim përshpejtimin e shqyrtimit të aplikimeve. Megjithatë, të dhënat e raportuara nuk provojnë se ky sistem ka shkaktuar gabimin në rastin e familjes siriane.

“Mbështetja tek inteligjenca artificiale në raste të tilla është e papranueshme”, u shpreh Alsakka.

Gabime edhe në dokumentet e identifikimit

Sipas rrëfimit të Alsakkës, problemi me letrën që përmend Shqipërinë nuk është i vetmi rast i pasaktësive administrative me të cilat është përballur familja.

Ai deklaroi se autoritetet britanike janë detyruar t'i dërgojnë familjes kartat e identifikimit gjashtë herë, pasi në pesë përpjekjet e para ishte vendosur gabimisht fotografia e djalit të tyre.

Alsakka po ndjek studimet për masterin e tij të dytë në Universitetin e St Andrews, ndërsa bashkëshortja e tij, Lojain, studion për master në inteligjencë artificiale në Universitetin e Glasgow-t.

Kërkesa për azil është refuzuar, familja e ka apeluar vendimin

Përtej letrës që sugjeron zhvendosjen në Shqipëri, familja po kundërshton edhe vendimin e Home Office për refuzimin e kërkesës së saj për azil. Çështja është dërguar në gjykatë dhe, sipas raportimeve të mediave britanike, seanca pritet të zhvillohet në fillim të vitit 2027.

Alsakka pretendon se në arsyetimin e vendimit për refuzimin e azilit është ngatërruar edhe data e një incidenti që ai thotë se ka përjetuar në Siri.

Sipas tij, ngjarja ka ndodhur në vitin 2025, ndërsa autoritetet britanike i janë referuar vitit 2023, duke përmendur gjithashtu një vizitë të familjes në Siri gjatë atij viti.

“Isha përfshirë në një incident në Siri në vitin 2025. Në vendimin e refuzimit shkruajnë se incidenti ndodhi në vitin 2023 dhe se familja ime kishte vizituar Sirinë atë vit për të takuar një të afërm që ishte në prag të vdekjes, pa u përballur me rrezik. Por incidenti ndodhi në vitin 2025. Kjo nuk ka kuptim”, ka deklaruar Alsakka, sipas raportimit të mediave britanike.

Në të njëjtin dokument ku përmendet Shqipëria, familjes i është sugjeruar edhe mundësia për të nisur një jetë të re në një qytet të Sirisë, si Alepo.

Alsakka ka argumentuar se familja nuk ka më lidhje të qëndrueshme me vendin e origjinës dhe se kthimi në Siri do të nënkuptonte nisjen e një jete të re në një mjedis të panjohur dhe potencialisht të rrezikshëm.

“Kam jetuar më shumë se gjysmën e jetës sime jashtë Sirisë. Kam kaluar vetëm dhjetë vjet në Siri. Tani jam 39 vjeç. Nuk kam lidhje, nuk kam të afërm atje. Fëmijët e mi kanë lindur jashtë Sirisë. Për mua, Siria është njësoj si Shqipëria”, është shprehur ai.

Ai ka vënë në dukje edhe atë që e konsideron si një kontradiktë në politikën britanike, duke argumentuar se, ndërsa autoritetet paralajmërojnë qytetarët britanikë të mos udhëtojnë drejt Sirisë për arsye sigurie, azilkërkuesve sirianë u sugjerohet kthimi në vendin e origjinës.

Bashkëshortja e tij, Lojain, ka ende prindërit në Damask, por sipas raportimeve, familja nuk ka mundësi financiare të jetojë me ta. Ndërkohë, të afërm të tjerë të çiftit kanë siguruar mbrojtje dhe kanë ndërtuar jetën e tyre në vende të ndryshme. Vëllai i Lojain ka marrë shtetësinë gjermane, motra e saj ka përfituar azil në Turqi, ndërsa vëllai i Fadi Alsakkës është bërë shtetas belg pasi kishte kërkuar mbrojtje ndërkombëtare në Belgjikë.

Pasiguria e zgjatur për të ardhmen ka ndikuar edhe në gjendjen shëndetësore të Lojain, e cila aktualisht punon si përkthyese për komunitetin në organizatën Glasgow Life.

Rasti i familjes Alsakka ka nxjerrë në pah shqetësimet për saktësinë e vendimeve administrative në procedurat e azilit në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa reagimi i Ambasadës Shqiptare në Londër ka shtuar pikëpyetjet mbi përfshirjen e Shqipërisë si destinacion i mundshëm për zhvendosjen e familjes.