SPORT, 10 Maj 2020, 16:56

Torino hedh sytë nga shqiptarët, ylli i Kosovës në listën e objektivave

Torino hedh sytë nga shqiptarët, ylli i Kosovës në

Para disa ditësh mediat italiane raportuan se Ardian Ismajli është në radarët e Torinos dhe klubi “Granata” ka nisur bisedimet me Hajdukun e Splitit. Ditën e sotme “Tuttosport” raporton se ky klub interesohet për një tjetër shqiptar, ndonëse këtë herë bëhet fjalë për një mbrojtës të kombëtares së Kosovës. Në rast se dy operacionet arrihen të përmbushen Ismajli dhe Mërgim Vojvoda mund të bëhen shokë skuadre.

Prej muajsh flitet për një interes të Fiorentinës dhe Lacios për të, ndërkohë që ditët e fundit Torino ka avancuar më shumë se dy klubet e lartpërmendur. Vojvoda verën e shkuar i është bashkuar belgëve të Standart Liezh për shifrën e 1.2 milionë eurove. Paraqitjet e tij cilësore e kanë bërë mbrojtësin titullar të padiskutueshëm, duke luajtur shumicën dërrmuese të ndeshjeve të këtij sezoni.

Vlera e tij në merkato është rritur ndjeshëm dhe ky operacion mund të finalizohet për shifrën e 5 milionë eurove. Vojvoda aktivizohet në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe njihet për kontrollin e tij mjaft të mirë të topit. Duke parë tiparet e tij, 25-vjeçari mund të aktivizohet edhe në krahët e mesfushës. Mërgimi është një titullar i padiskutueshëm në kombëtaren e Kosovës, ku numëron 22 paraqitje, duke arritur të shënojë edhe një gol.