SPORT, 15 Korrik 2020, 19:56

Tirana u mbyll “gojën” kritikëve, mposht Bylisin dhe kap finalen!

Tirana u mbyll “gojën” kritikëve, mposht Bylisin dhe kap

Është Tirana finalistja e parë e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2019-2020. Bardheblutë u mbyllën gojën të gjithë kritikëve për atë humbje 2-1 të dy javëve më parë në Ballsh duke mposhtur 2-0 Bylisin në gjysmëfinalen e kthimit që u zhvillua në Selman Stërmasi.

Tiranës mund t’i mjaftonte edhe një fitore minimale për të avancuar në finalen e madhe por skuadra e Emanuel Egbo zgjidhi gjithçka që në 25 minutat e para ndaj Bylisit duke shënuar dy herë me Ernest Muçin dhe Erjon Hoxhallarin dhe duke shuar përfundimisht ëndrrën e skuadrës së Dovedan për të fituar trofeun e parë në historinë e klubit.

Një ndeshje e dominuar nga kryeqytetasit me mallakastriotët që ishin gjithmonë në ndjekje dhe të pafatë për të shënuar qoftë edhe një gol pavarsisht përpjekjeve në pjesën ku merita për mbajtjen e rrjetës së paprekur nga ana e bardhebluve kishte edhe portieri Ilion Lika me disa pritje shpëtimtare.

Mungesat e Cale dhe Cobbinah nuk ndikuan aspak te bardheblutë ndërsa te Bylisi ndoshta trajneri Dovedan gaboi duke lënë në stol edhe Malçin edhe Mozonen dhe duke zbritur në fushë pa asnjë sulmues të mirfilltë me idenë për t’u mbrojtur.

Tashmë Tirana do të jetë në pritje se çfarë do të vendosë komisioni i Etikës lidhur me takimin e parë gjysmëfinal mes këtyre dy skuadrave, ndërsa në finale skuadra e Egbo do të sfidojë një mes Teutës dhe Kukësit.