TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një ditë më parë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqjen nga posti i tij pasi u thirr për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale në Hagë për për krime lufte.
I emocionuar në një deklaratë për sjtyp, Haradinaj u shpreh se nuk mund ta cënonte nderin e shtetit të tij duke u thirrur si kryeministër i Kosovës.
Por çfarë është Gjykata Speciale, pse u krijua
Gjykata Speciale siç njihet në Kosovë ndryshe quhet edhe Gjykata e posaçme e OKB-së apo Gjykata e krimeve të luftës.
Kjo Gjykatë u krijua në dhjetor të vitit 2010 për të hetuar “trajtimet çnjerëzore dhe trafikimin me organe” në Kosovë. Gjithçka nisi nga raporti i Dick Marty-t, i cili u miratua nga EULEX dhe më pas ky i fundit krijoi një Forcë Speciale për hetimet dhe mas marrëveshjeve ligjore që u kryen mes Parlamentit të Kosovës dhe BE-së e kështu u hap rruga për të krijuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Rrjedhimisht sot ekzistojnë dy institucione të ndara dhe të pavarura me seli në Hagë: Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara.
Çfarë krimesh heton Gjykata Speciale?
Këtë gjë e ka shpjeguar Christopher Bennett, zëdhënës i SIFT në një deklaratë ku shprehet: Zyra e Prokurorit të Specializuar që drejtohet nga Prokurori, ndjek penalisht krime që përfshihen në juridiksionin e Gjykatës dhe përcaktohen me ligj. Ato janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në vitet 1998, 1999 dhe 2000, në atë territor ku sot shtrihet Republika e Kosovës, të kryera nga njerëz që i kap ligji, krime për të cilat është raportuar në raportin e Dick Marty-t.
Më tej Benett shton edhe diçka tjetër.
“Prokurori i Specializuar dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar bazohen tek ligji dhe tek faktet. Puna e tyre nuk influencohet nga etniteti, orientimi politik ose nga çështje që lidhen me pavarësinë e Kosovës,”– thotë ai më tej.
Ndërkohë ditën e sotme pas Haradinajt është thirrur për t’u marrë në pyetje edhe Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës i cili ka qenë edhe ish-anëtar e zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.