AKTUALITET, 12 Qershor 2021, 13:31

Testi i Matematikës nxjerr maturantët në protestë në Tiranë dhe disa qytete të vendit


Testi i Matematikës ka bërë që maturantët të dalin në rrugë duke protestuar përpara Ministrisë së Arsimit këtë të shtunë. Kërkesa e tyre lidhet me uljen e pikëzimit pasi sipas tyre provimi ishte shumë i vështirë.

Maturantët janë shprehur se do qëndrojnë para ministrisë deri sa të marrin kontakte me autoritetet ose protesta e tyre do përshkallëzohet e me shumë gjasë paralajmeruan se do bojkotojnë provimin e radhës të Maturës. Ata kërkojne ose riperseritje te testit te Matematikes, ose te rishikohet pikezimi.

Pas protestës së tyre ka reaguar edhe Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi përmes rrjetit social Facebook, duke dhënë mbështetjen ndaj maturantëve që kanë protestuar mbi shqetësimin e tyre për testin e matematikës.

Reagimi :

“Të dashur maturantë,

Siç ju kemi premtuar, ne do të jemi gjithmonë në mbështetjen tuaj. Në këto momente, jemi duke vlerësuar edhe një herë me grupet e ekspertëve nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në testin e matematikës. Dhe në rast se na rezulton që ai e tejkalon nivelin e parashikuar, të cilin e kushtëzon mënyra e zhvillimit të mësimit gjatë këtij viti shkollor, pa dyshim që ne do ta rishikojmë shpërndarjen e pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit.

Ju uroj shumë suksese për provimin e radhës!”

Por, edhe pas këtij reagimi nga ana e ministres Kushi, maturantët nuk janë tërhequr .Reagimi i ministres së Arsimit, Evis Kushi nuk i ka bindur maturantët. Ata janë zhvendosur te Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe njëzëri shprehen se nuk do ta ndalin protestën derisa të plotësohen kërkesat e tyre. Maturantët pretendojnë se provimi ishte i vështirë i pabazuar në ato që ata janë përgatitur dhe kërkojnë uljen e pragut të pikëve.

“Duan të na hedhin hi syve por kanë për të na ndalur protestën. Do të vazhdojmë mundet edhe të bojkotojmë provimin e ardhshëm,” është shprehur një maturante për mediat .

Paralelisht me kryeqytetin janë zhvilluar protesta nga maturantët edhe në qytete të tjera të vendit, ndërsa kërkesat e tyre janë të njëjta./TPZ.AL