AKTUALITET, 12 Qershor 2021, 11:44

“Autorin e kapën banorët e zonës”/ Sofistikohen sulmet me eksploziv, detaje nga shpërthimi me dron-tritol në biznesin e Lefter Kokës

“Autorin e kapën banorët e zonës”/ Sofistikohen

Një rast i padëgjuar më parë në Shqipëri, ku droni përdoret për të kryer shpërthim të telekomanduar të tritolit, është regjistruar tri ditë më parë në Durrës.

Shënjestër e kësaj metode të re, të sulmit me dron-tritol, ka qenë biznesi i ish-ministrit të Mjedisit dhe deputetit të zgjedhur të Partisë Socialiste, Lefter Koka.

Ngjarja e pazakontë është regjistruar tri ditë më parë mbi biznesin e tij (kantinë pijesh), që ndodhet pranë kodrës së Rashbullit, në lagjen 14 të qytetit bregdetar.

Atë ditë shpërtheu një sasi e konsiderueshme lëndë plasëse e llojit tritol, por për fat të mirë nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme të vogla materiale.

Sipas Policisë, biznesi i deputetit të zgjedhur në votimet e 25 prillit nën siglën e Partisë Socialiste, është sulmuar me një metodë të padëgjuar më parë në Shqipëri, ku mjeti i vogël fluturues me telekomandim përdoret për të vendosur tritol.

Hetuesit që po punojnë për dokumentimin e kësaj ngjarjeje thanë për gazetën “Panorama” se janë surprizuar kur po mblidhnin provat në vendin e ngjarjes, teksa u përballën me një metodë krejt të re nga çka ishin mësuar, atë të një droni që transportonte lëndë plasëse.

Menjëherë pas ngjarjes, Policia e Durrësit vuri në pranga autorin e dyshuar, shtetasin Gentian Meta, i cili është pronar i një lokali në zonën e Kepit të Rodonit.

Ndaj 44-vjeçarit nga Shijaku, Gjykata e Durrësit këtë të premte vendosi masën e sigurisë të “Arrestit me burg”.

SHPËRTHIMI

Burime nga grupi i hetimit thonë se lëndë plasëse është hedhur në tarracën e ndërtesës ku ndodhet kantina e pijeve. Duke qenë se biznesi ruhet përgjatë 24 orëve në ditë dhe për këtë arsye nuk afrohej dot pranë kantinës, 44-vjeçari ka menduar ta afrojë lëndën plasëse duke e transportuar me një dron.

Megjithëse Meta e arriti synimin, ai u diktua nga rojet dhe disa banorë të zonës, të cilët kanë njohje të vjetra me zotin Koka dhe familjarët e tij, ndërsa një pjesë e tyre janë të punësuar në bizneset e ish-ministrit të Mjedisit.

“Ishin disa banorë të zonës që kanë ndaluar autorin, pasi e kishin parë duke ecur me një qese në dorë dhe kapuç të zi.

Ata e ndoqën me makinë, pasi ai tentoi të ikte me vrap, ndërsa e kapën në një ndërtesë të braktisur.

Në qese ai kishte telekomandën e dronit, një telefon të thyer dhe një palë doreza gri”, thanë burime nga Policia.