AKTUALITET, 11 Prill 2018, 22:31

Tensioni mes SHBA-së dhe Rusisë në kulm, pritet ndërhyrje ushtarake në Siri

SHBA-ja dhe Rusia, kanë qenë fare pranë përplasjes mes tyre, për çështjen e Sirisë, pasi presidenti Donald Trump postoi në Twitter një kërcënim, ku paralajmëronte Moskën të "bëhej gati" për raketat amerikane, të cilat Rusia ka premtuar se do t'i rrëzojë.

Konflikti ka lindur pas një sulmi me gaz helmues, në një lagje në Damascus, e cila është nën kontrollin e rebelëve. Ky konflikt ka degjeneruar në një konfrontim serioz mes dy vendeve që kanë arsenalet më të fuqishme të armëve bërthamore në botë. Nga njëra anë presidenti i SHBA-së ka shpalosur një retorikë kërcënuese, ndërsa nga ana tjetër, Vladimir Putin vazhdon të mbështesë pa kompromis regjimin e Bashar al Assad.

"Rusia zotohet se do të rrëzojë të gjitha raketat që ne hedhin në Siri. Përgatitu Rusi, sepse ato do të jenë të mira, të reja dhe inteligjente. Nuk duhet të jeni partnerë me një kafshë që vret njerëzit me armë kimike dhe kënaqet nga kjo gjë", u shpreh Donald Trump në Twitter.

Statusi në Twitter i Presidentit Trump

Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, bëri thirrje për qetësi.

"Ne nuk marrim pjesë në demokracinë e Twitter-it", tha Peskov. "Ne mbështesim një qasje serioze. Besojmë se është e rëndësishme të mos merren hapa të cilat mund ta dëmtojnë më shumë, një situatë të brishtë".