AKTUALITET, 7 Maj 2021, 12:05

Tenderi i Ministrisë së Mbrojtjes pas tërmetit/ GJKKO rrëzon hetimet e SPAK, ndërsa për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” kërkon…

Tenderi i Ministrisë së Mbrojtjes pas tërmetit/ GJKKO rrëzon


Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar hetimin e SPAK për tenderin e ushqimeve në Ministrinë e Mbrojtjes.

GjKKO ka shpallur mos kompetencë akuzën e shpërdorimit të detyrës nga ana e zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, duke theksuar se kjo çështje duhet të verifikohet nga Prokuroria e Tiranës.

SPAK mori të pandehur shtetasit, Ylli Imeri, Dafina Keça dhe Andrea Dapaj, të cilët janë kryetari dhe dy anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Bëhet fjalë për një tender të zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes, në kohën që ky dikaster drejtohej nga ish-ministrja Olta Xhançka, në mars të vitit 2020, në kohën kur vendi u fut në karantinë, për shkak të pandemisë së Koronavirusit.

Në këtë kohë, shumë familje në nevojë mbetën pa ushqime dhe ky tender u zhvillua me qëllim që t’u vihej në ndihmë këtyre familjeve. Partia Demokratike kallëzoi në SPAK Olta Xhaçkën, e cila u mor në pyetje, por prokurori i çështjes Ened Nakuçi nuk gjeti asnjë provë apo fakt që mund ta implikonte Xhaçkën në ndonjë vepër të mundshme penale. Sipas Prokurorisë së Posaçme, të vetmit që kanë kryer shkelje të ligjit dhe që dyshohen për “shkelje të barazisë në tenderë”, janë kryetari dhe dy anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Për sa i përket administratorit të kompanisë që fitoi tenderin dhe personave të tjerë që dyshoheshin si të përfshirë në këtë veprimtari, SPAK ka kërkuar pushimin e hetimit. Komunikimi u është bërë zyrtarisht të pandehurve dhe pritet që dosja të kalojë për gjykim pranë gjykatësit paraprak, i cili do të duhet të vendosë edhe për fatin e këtyre hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme.

KALLEZIMI I PD

Më 1 prill të vitit 2020 Partia Demokratike dorëzoi një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme për ish-ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Lajmi u bë i ditur nga ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili tha se tenderi i ushqimit është aferë korruptive, pasi sipas tij kompania është përzgjedhur pa garë.

Ai tha se kompania fituese nuk është specializuar për produkte ushqimore. Sipas tij, kjo kompani është specializuar për pajisje elektrike. Kallëzimi në SPAK erdhi një ditë pasi PD-ja publikoi dokumentimit të skandalit me tenderin e blerjes së ushqimeve nga Ministria e Mbrojtjes, ku një kompani elektronike dhe ndërtimi, u shpall fituese për tregimin e ushqimeve, në kundërshtim me ligjin.

“Ky tender i realizuar me urgjencë në këtë kohë krize, ku është shpallur fituese pa garë, një kompani kompjuterësh, është një aferë e pastër korruptive dhe klienteliste, për shkak se: Kompania që Edi Rama dhe Olta Xhaçka kanë parapërzgjedhur t’i japin plot 1.5 milionë euro nuk ka asnjë eksperiencë në tregtimin e produkteve ushqimore. Kompania ‘Eurovia’ është e specializuar për pajisje kompjuterike dhe ndërtim, jo për tregtimin e produkteve ushqimore; E njoftuar paraprakisht për hapjen e këtij tenderi, në datë 19 mars 2020, pra vetëm 6 ditë para se të shpallej fituese e tenderit për ushqime nga Ministria e Mbrojtjes, kompania ‘Eurovia’ sh.p.k., dega Shqipëri, ka modifikuar objektin e aktivitetit të saj, duke shtuar edhe tregtimin në produktet ushqimore. Vetëm 6 ditë pas këtij modifikimi, pa asnjë eksperiencë në këtë fushë, ajo shpallet fituese e tenderit 1.5 milionë euro të zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes për paketat ushqimore”, denonconte PD-ja vitin e kaluar.