AKTUALITET, 19 Janar 2021, 16:32

Tenderat për BKH/ Kontrolli i Lartë i Shtetit zbarkon në ministrinë e Brendshme, ja çfarë kalon në filtrin e kontrollit

Tenderat për BKH/ Kontrolli i Lartë i Shtetit zbarkon në

Institucioni i cili pritet të jetë “dora e fortë ndaj të fortëve ” do të kalojë më parë në filtrin e shpenzimeve ekonomike që janë realizuar për të.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur një audit në Ministrinë e Brendshme dhe shpenzimet e kryera për institucionin e rëndësisë së lartë. Objektivi i këtij auditi do të jetë investimi në strukturën e Byrosë së Hetimit duke nisur nga ndërtesa, mobilimi, armët e zjarrit dhe paisjet e tjera.

Edhe pse investimi është kryer në klasifikimin si “sekret”, KLSH ka autoritetin për t’i kontrolluar këto investime. Nga KLSH pritet të realizohet një analizë e plotë e shpenzimeve për investimet e kryera nëse ka pasur shkelje apo jo.

Një ditë më parë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu zhvilloi një takim pune me Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj në ambientet e KLSH.

Në qendër të takimit ishte diskutimi për fusha me rëndësi të veçantë në të cilat do të fokusohet procesi i punës së Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në vazhdimësi. Nuk dihet nëse gjatë takimit është folur mbi auditin e nisur nga KLSH por takimet e fundit me drejtuesen e Byrosë e Kombëtare të Hetimit dhe Kreun e SPAK tregojnë një bashkëpunim të ngushtë mes këtyre institucioneve.