AKTUALITET, 9 Shtator 2018, 08:35

Tatimet apel bizneseve të vogla: Kujdes mos bëni këtë gabim kur...

Tatimet apel bizneseve të vogla: Kujdes mos bëni këtë gabim

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka bërë apel të gjitha bizneseve të vogla pa TVSH, me xhiro vjetore nën 2 milionë lekë të mos shtypin gabim pajisjen fiskale, pasi mund të merren masa ligjore.

Ky paralajmërim vjen pas problemit që verifikoi Drejtoria e Riskut në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve lidhur me problemin e raportimit të vlerave monetare jashtë normalitetit të aktivitetit të tyre, kryesisht si pasojë e shtypjeve gabim të pajisjeve fiskale.

Administrata Tatimore, bën me dije se është detyrim i tatimpaguesve që të reklamojnë të gjitha shtypjet gabim të pajisjeve fiskale pranë Drejtorive Rajonale Tatimore, ku subjekti ushtron aktivitetin, sipas procesverbalit përkatës.

Raportimi i gabuar i shtypjes së gabuar të pajisjes fiskale nga tatimpaguesit, sjell ndryshim nga ana e administratës tatimore, bazuar në të dhënat që disponon, të përgjegjësisë tatimore nga ajo ekzistuese në përgjegjësi tatimore “Biznes i vogël me TVSH”.

“Administrata Tatimore, mbetet e angazhuar të informojë me korrektësi tatimpaguesit mbi të drejtat dhe detyrat tatimore që atyre iu lindin,” deklaron DPT. TPZ.AL