AKTUALITET, 15 Qershor 2018, 21:55

Super ndeshje 3-3, Ronaldo dhuron spektakël ndaj Spanjës në Soçi

Tre gola nga Kristiano Ronaldo nuk i mjaftuan Portugalisë të dilte fituese ndaj Spanjës në Soçi, që falë dygolëshit të Diego Kostës dhe supergolit të Naços e mbylli në 3-3 në ndeshjen e vlefshme për grupin B. Një ndeshje me shumë emocione.

Në minutën e 3-të, Naço pengon Ronaldon, me këtë të fundit që shënoi nga pika e bardhë një minutë më pas, duke i dhënë avantazhin Portugalisë në të 4’ dhe befasuar Spanjën, tashmë nën drejtimin e Fernando Hierros.

Në të 22’, Portugalia humbi një rast të mirë shënimi me anë të Guedes, që nuk ia doli dot të shfrytëzonte një pasim të shkëlqyer të Ronaldos.

Goli i barazimit nga ana e Spanjës ishte i mrekullueshëm nga e Diego Kostës në minutën e 24-t, ndërsa dy minuta më pas, Isko goditi shtyllën horizontale. Në të 34’, Iniesta i pati të gjitha mundësitë për të bërë 2-1 për Spanjën.

Në minutën e 44-t, Ronaldo shënoi golin e dytë të Portugalisë dhe të të dytin personal, pas një gabimi të portierit të Spanjës, Davide De Gea.

Përmbysja spanjolle ndodhi brenda harkut të tri minutave: Diego Kosta në të 55’ dhe Naço më të 58’, ky I fundit me një diagonale të bukur, me topin që preku shtyllën e majtë pingule dhe përfundoi në rrjetë. Naço shleu kështu edhe shkaktimin e penalltisë së shndërruar në gol nga Kristiano Ronaldo.

Por, ylli portugez i Realit tregoi magjinë e tij, duke realizuar një super gol, me një goditje perfekte nga gjuajtja e lirë. Tre gola nga Kristiano në 90 minutat e para, duke marrë kryesimin edhe të renditjes së golashënuesve.