TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një person ka sulmuar me molotov Kryeministrinë gjatë orëve të vona të mbrëmjes të së shtunës. Menjëherë kanë reaguar forcat e sigurisë, duke arrestuar të riun i cili është identifikuar si Nazmi Caka, 23 vjeç. Ai është një emër i njohur për policinë dhe opinionin publik.
Personi që shihni në foto dy vite më parë hyri në një bankë në kryeqytet, por nuk vodhi asgjë. Në kohën kur u arrestua ai ishte 21 vjeç dhe e habiti policinë me përgjigjen që ju dha: “Hyra për të vjedhur se isha i paushqyer, por pastaj u pendova“.
Filmimet u shpërndanë në atë kohë nga policia e cila tregoi grabitësin e pazakontë që në fakt nuk vodhi asgjë. Kësaj radhe pasi ka përfunduar burgun, Nazmi Caka ka çuditur sërish policinë.
I vetëm, me një shishe benzinë, Caka ka protestuar mesnatën e të shtunës duke hedhur shishen në hyrje të Kryeministrisë. Policia e ka shoqëruar protestuesin e vetmuar duke i hedhur menjëherë prangat, ndërsa në shtëpinë ku ai jeton me qira në Sauk iu gjet edhe një shishe tjetër me lëndë ndezëse të cilët ai vetë e rrëfeu që po e mbante për protestën e radhës.
Policia e mësuar me protestat që zgjatën disa muaj, e ka referuar materialin në prokurori për protestuesin e vetmuar. I pyetur nga gjyqtarja gjatë shqyrtimit të masës së sigurisë të mbajtur këtë të hënë, se përse ka protestuar, i riu është përgjigjur: “Protestova se më ka fyer kryeministri”.
Për shkak të rrezikshmërisë së ulët të protestuesit gjykata ka vendosur masën detyrim paraqitje për të riun i cili deklaron se është jetim dhe i papunë.