TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kupa e Shqipërisë në volejboll për femra ka zhvilluar dje dy ndeshjet e para gjysmëfinale. Skënderbeu dhe Tirana, falë fitoreve në transfertë ndaj Partizanit e Pogradecit, tashmë e shikojnë veten më pranë finales. Korçarët kaluan me sukses betejën e parë në kryeqytet kundër të kuqeve, ndërsa për vajzat bardheblu ishte gjithçka e thjeshtë ndaj ekipit liqenor.
NDESHJET – Ashtu sikurse pritej, përballja në “Feti Borova” ndërmjet Partizanit dhe Skënderbeut dhuroi rivalitet të lartë në parket. Pas një beteje që zgjati 2 orë e 14 minuta, në fund festa u takoi korçareve të Orlando Kojës.
Miket fituan 2- 3 në kryeqytet, duke hedhur një hap të madh të drejt finales dhe mbrojtjes së trofeut si fituese në fuqi të Kupës. Partizani e filloi më mirë ndeshjen, teksa arriti të fitonte 25-23 në setin e parë. Lufta e fortë sportive vijoi edhe në setin e dytë, por lojtaret e Skënderbeut u treguan më të qarta në veprimet e tyre, për të fituar 22-25, duke vendosur baraspeshën 1-2, ndërsa kaluan përpara duke bërë të tyrin edhe setin e tretë 23-25. Vajzat e Amarilda Prengës gjetën forca dhe arritën të reagonin në setin e katërt, duke fituar 25-21, për ta çuar ndeshjen me set final. Por fraksioni i fundit foli për korçaret, të cilat triumfuan 8-15, duke fiksuar shifrat finale 2-3, e tashmë do të kërkojnë që t’i mbyllin llogaritë në sfidën e dytë më 28 shkurt në Korçë.

Ndryshe nga takimi i zhvilluar në kryeqytet, gjysmëfinalja tjetër mes Pogradecit dhe Tiranës, rezultoi me sens unik. Vajzat e Hasan Gurabardhit dominuan në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”, për të dalë fitimtare me rezultatin e pastër 0-3. Kualiteti më i lartë i skuadrës bardheblu bëri diferencën, teksa Tirana i tregoi muskujt që në fillim, për ta fituar setin e parë 16-25.

Seti i dytë ishte disi më i rivalizuar, me miket që këtë herë fituan më ngushtë, 21-25, për të shpërthyer sërish në setin e tretë në shifrat 16-25.
