SPORT, 4 Tetor 2024, 18:14

U përjashtuan nga Kombëtarja e Kosovës, Zhegrova me shokë kthehen në ekip pasi kërkojnë falje publike

U përjashtuan nga Kombëtarja e Kosovës, Zhegrova me shokë

Edon Zhegrova, Arijanet Muriç dhe Florent Muslija, u përjashtuan nga radhët e Kosovës në grumbullimin e kaluar, pasi të tre lojtarët u konstatua se kishin thyer rregullat duke shkuar në një lokal nate gjatë qëndrimit te “Dardanët”.

Një vendim të cilin të tre futbollistët në këto javë e kanë kundërshtuar pasi sipas tyre nuk kanë bërë asnjë gjë që nënkupton shkelje të rregullave. Por si për çudi, të tre emrat ishin sot në listën e përzgjedhur nga trajneri Franko Foda për ndeshjet e radhës të Kosovës, teksa FFK ka publikuar bashkë me të grumbulluarit, edhe një letër të hapur të këtyre futbollistëve.

"Bashkëlojtarë, trajner, Federatë dhe mbi të gjitha tifozë të Kombëtares së Kosovës.

Po u drejtohem me këtë letër për t’u thënë se kemi bërë një gabim dhe nuk i kemi ndjekur rregullat e ekipit kombëtar!

Për këtë ne duam t;i kërkojmë falje trajnerit, bashkëlojtarëve. Federatës dhe tifozëve.

Ne duam të luajmë për shtetin tonë dhe gjithmonë do të bëjmë më të mirën në të ardhmen”, shkruhej në letrën që ka publikuar Federata e Kosovës.