SPORT, 29 Nëntor 2021, 20:55

“Topi i Artë”/ Kush janë rekordmenët dhe pse Maradona e Pele nuk e fituan kurrë

“Topi i Artë”/ Kush janë rekordmenët dhe pse Maradona

Pritjes po i vjen fundi dhe fituesi i Topit të Artë 2021 do të mësohet pikërisht mbrëmjen e sotme, në një ceremoni gala që do të mbahet në Paris dhe do të transmetohet ekskluzivisht në ekranin e SuperSport 1, duke nisur nga ora 20:30.

Çmimi prestigjoz për futbollistë, jepet nga revista e njohur franceze “France Football” dhe për herë të parë është akorduar pikërisht në 1956-ën e largët, teksa fituesi i parë është Stanley Mattheës, futbollist anglez i Blackpool.

Megjithatë emra legjendarë si Pele dhe Diego Armando Maradona nuk e kanë shijuar kurrë këtë trofe. Shkaku? “Topi i Artë” ishte një çmim që u jepej vetëm futbollistëve europiane, ndaj braziliani e argjentinasi nuk patën mundësi as të hyjnë në garë…

Një rregull i tillë vazhdoi deri në vitin 1995, vit ku më i miri u shpall George Weah. Ish-sulmuesi liberian i Milanit u bë lojtari i pari jo europian që fitoi “Topin e Artë”.

Vitin e kaluar u vendos që ceremonia të mos bëhej dhe të mos shpallej asnjë fitues për shkak të pandemisë, teksa i fundit që ka triumfuar, ka qenë Leo Messi më 2019-ën, i cili e fitoi “Topin e Artë” për herë të gjashtë në karrierë, një rekord absolut.

“Pleshti” i PSG-së ndiqet nga portugezi Cristiano Ronaldo me 5 “Topa të Artë”. Nga tri herë e kanë fituar lojtarë si Mishel Platini, Johan Cruyff dhe Marco Van Basten.