SPORT, 23 Qershor 2024, 12:28

Tetë ndryshime në formacion, mësoni si do të luajë Spanja ndaj Shqipërisë

Tetë ndryshime në formacion, mësoni si do të luajë

Shqipëria do të luajë ndeshjen e jetës ndaj Spanjës, më 24 qershor në orën 21:00. Në stadiumin ‘Merkur-Spiel Arena’ të Dusseldorfit, kuqezinjtë sfidojnë iberikët për kualifikimin në fazën tjetër.

Spanja tashmë ka siguruar vendin e parë dhe trajneri De La Fuentes zbuloi se do të luajë me formacionin e dytë për të pushuar titullarët. Kjo përbën një lajm fantastik në njëfarë mënyrë për Shqipërinë e cila do të ketë përballë një ekip me më pak impenjim për të fituar.

Sipas mediave iberike, plot tetë ndryshime do të ketë në formacionin startues duke nisur që nga porta. David Raya i merr vendin Unai Simon, ndërsa në mbrojtje Jesus Navas, Nacho e Grimaldo lënë në stol Carcajal, Le Normand dhe Cucurrella.

Ylli i Manchester City, Rodri është i pezulluar me kartona dhe mungesa është e konfirmar që nga ndeshja me Italinë, kështu që Mikel Merino do të jetë dirigjenti i mesfushës e cila pëson edhe një ndryshim tjetër. Pedri ulet në stol për t’i lënë vendin një tjetër lojtari të Barcelonës, Fermin Lopez i cili është i konfirmuar si startues.

Njëjtë edhe Ferran Torres që do të jetë në sulm, së bashku me Moratan e Oyarzabal. Një balotazh për sulmin është mes kapitenit Morata dhe Dani Olmos me De La Fuenten që do të vendosë përfundimisht vetëm 1 orë para ndeshjes.

Spanja (4-3-3) - Raya; Jesus Navas, Nacho, Laporte, Grimaldo; Fermin, Merino, Ruiz; Ferran, Morata (Olmo), Oyarzabal

Trajner: L. De La Fuente.