TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Këtë edicion Vllaznia e futbollit të femrave bëri historinë si skuadra e parë shqiptare që mbërriti deri në fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve.
Vajzat kuqeblu sot do të zbresin në fushë për takimin e tyre të fundit në Grupin A, teksa në orën 21:00 do të sfidojnë në transfertë Realin e Madridit.
Ndonëse numërojnë 5 humbje dhe nuk kanë shënuar asnjë gol deri më tani, shkodranet kanë arritur të fitojnë eksperiencë në nivelin më të lartë të futbollit europian.
Këtë gjë e pranojnë edhe lojtaret e Vllaznisë. Sulmuesja Esi Lufo e ka komentuar kështu duelin e sotëm kundër Realit: “Është ndeshja e fundit dhe normalisht që po e presim me padurim këtë përballje.
Nga ana tjetër jemi pak të mërzitura sepse është sfida e fundit. Besoj që do të jetë një ndeshje mjaft e luftuar nga ana jonë, në mënyrë që të marrim rezultat pozitiv dhe të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze. Të luash në grupet e Champions-it është një përvojë që nuk vjen shpesh dhe një eksperiencë e mrekullueshme. Shpresoj që të përsërisim edhe në vitet e ardhshme dhe pse jo të për të synuar edhe për më lart”, thotë ndër të tjera Lufo.
Ndërkohë, Matilda Gjergji, mbrojtëse 19-vjeçare, deklaron: “Këtë ndeshje po e presim me shumë kënaqësi dhe shpresojmë që të bëjmë një lojë sa më të mirë, e pse jo, të marrim edhe rezultat.
Të luash në këto nivele në moshë kaq të re nuk është e lehtë, por më ka ndihmuar mbështetja e vajzave dhe e të gjithë stafit. Është vërtetë emocionuese të përballesh me lojtare, të cilat më parë i shihnim në TV, ndërsa tashmë i sfidojmë në fushë. Mendoj se kam bërë më të mirën time në këto ndeshje”, u shpreh Gjergji.