SPORT, 8 Janar 2026, 17:34

Rikuperimi i Musialës, si vrapim me pengesa te Bajerni

Rikuperimi i Musialës, si vrapim me pengesa te Bajerni

Vinsent Kompani ende nuk është në gjendje të hedh në fushë formacionin e tij më të fortë te Bajerni – por ndoshta nuk ka shumë arsye për shqetësim. Sasha Boej mund të largohet ende nga klubi. Zyrtarisht, Bajerni i Mynihut vazhdon ta listoj Sasha Boejin si “të sëmurë” kur bëhet fjalë për arsyen pse mbrojtësi i djathtë francez mungon sërish nga skuadra e ndeshjes.

Pa pasur nevojë të akuzohen liderët e Bundesligës për gënjeshtër, është gjithashtu e qartë se Boej duket se nuk luan më ndonjë rol nën drejtimin e Vinsent Kompani. Dy vite pas transferimit të tij prej 30 milionë eurosh nga Galatasaraj, Boej është i lirë të largohet sërish nga Bajerni, ashtu siç e bën të qartë rregullisht Maks Eberl, pa e përmendur me emër: “Kur Hiroki dhe Fonzi të jenë rikthyer, do të kemi një bollëk mbrojtësish krahu me cilësi shumë të lartë,” shpjegon drejtori sportiv.

“Atëherë mund të bëhet shumë e vështirë për një ose dy lojtarë. Dhe në këtë rast ka kuptim të mendohet për një ndryshim të mundshëm.” Boej mund dhe duhet të largohet, por fillimisht duhet gjetur një blerës. Ish-lojtari i përfaqësueses franceze nuk u dallua te Bajerni, ndaj gjetja e një zgjidhjeje financiarisht të pranueshme ka gjasa të jetë e vështirë. Përndryshe, nuk priten ndryshime të tjera në skuadrën e Bajernit; Kompani mund të integroj tashmë tre “përforcime” thuajse të reja – Ito, Dejvis dhe Jamal Musiala – në fillim të vitit. Ndërsa dy mbrojtësit kanë marrë minuta loje, Musiala duhet ende të ketë durim.

Mesfushori, ashtu si edhe shoku i skuadrës Dejvis (i cili ishte i sëmurë), nuk udhëtoi drejt Salzburgut për ndeshjen miqësore, sepse nga njëra anë i duhen më shumë seanca stërvitore dhe nga ana tjetër ka pësuar një “pengesë minimale”, siç raporton Eberl, pa dhënë arsye për shqetësim. “Kjo është normale pas një periudhe kaq të gjatë.”

Musiala nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë në mesjavë dhe e njëjta gjë mund të vlej edhe për Kimish. Mesfushori ka probleme me kyçin e këmbës që nga grumbullimi i fundit me kombëtaren në nëntor. Edhe këtu, Kompani dhe Bajerni nuk duan të marrin rreziqe, për të shmangur, sipas Eberl, një “situatë ndez-fik”. Me fjalë të tjera, Kimish do të rikthehet vetëm kur të jetë plotësisht pa dhimbje, gjë që ende nuk ka ndodhur. “Nuk do të jetë një kalvar i gjatë,” thotë Eberl. “Por mund të zgjasë edhe disa ditë.”