TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pas më pak se dy vitesh në krye të sektorit sportiv të Juventusit, Kristiano Xhuntoli pritet të largohet nga drejtimi i “Zonjës së Vjetër”.
Vendimi është marrë nga vetë Xhon Elkan, pas një takimi të tensionuar të enjten në mëngjes, pikërisht përpara përkujtimit të 40-vjetorit të tragjedisë së Hejsel dhe sinjalizon nisjen e një revolucioni të ri në strukturat drejtuese të klubit bardhezi. Xhuntoli, i cili ishte emëruar zyrtarisht në 7 korrik 2023, kishte firmosur një kontratë pesëvjeçare, duke u parë si figura kyçe për rilindjen e Juventusit pas largimeve të mëdha si Andrea Anjelit, Nedvedit, Fabio Paratiçit dhe Mauricio Arivabenes, të detyruar të tërhiqeshin pas hetimeve për manipulime financiare.
PRITSHMËRITË-I ardhur si kampion nga Napoli dhe me reputacionin e krijuar falë zbulimeve si Khviça Kvaratskhelia, pritshmëritë ndaj tij ishin të larta. Megjithatë, marrëdhëniet e tensionuara me trajnerin Masimiliano Alegri shfaqën menjëherë krisje. Pavarësisht fitimit të Kupës së Italisë dhe kualifikimit në Champions në sezonin e parë, Alegri kishte kërkuar largimin e Xhuntolit nga festimet, një sinjal i qartë për mospërputhjet mes tyre. Merkatoja e verës 2023 me emra, si: Ueah, Milik, Fakundo Gonzalez, Djalo dhe Alkaraz nuk dha rezultatet e pritura. Pikë kthese pritej të ishte vera e kaluar, kur Xhuntoli vendosi të besonte te Tiago Mota dhe i ofroi një merkato luksoze me emra si Kopmeiners, Duglas Luiz, Turam, Niko Gonzalez dhe Kolo Muani, një investim prej mbi 180 milionë eurosh. Por rezultatet në fushë munguan. Largimi i Motës në mars, i cili nuk u mor për shkak të bindjes së Xhuntolit, u shoqërua me eliminime të dhimbshme si ajo ndaj Empolit në Kupë dhe ajo në Europë.
NUK MJAFTON- Edhe pse skuadra e mbylli kampionatin në vendin e katërt, që garanton pjesëmarrjen në Champions, kjo nuk mjaftoi për të shpëtuar Xhuntolin. Megjithatë, puna e tij financiare nuk mund të anashkalohet. Nga një bilanc negativ prej 200 milionë eurosh në 2024, Juventusi ka arritur një përmirësim të ndjeshëm, duke raportuar një fitim prej 17 milionë në bilancin e fundit dhe duke ulur ndjeshëm kostot e pagave nga 180 milionë në pak mbi 100. Të ardhurat pritet të kalojnë sërish shifrën e 500 milionë eurove, duke ulur presionin mbi një rritje të mundshme kapitali. Por për Xhon Elkanin, kjo nuk është e mjaftueshme. Me largimin e Xhuntolit dhe ardhjen e Komolit, si dhe rritjen e rolit të Xhorxho Kielinit në strukturat drejtuese, Juventusi nis një epokë të re, një tjetër përpjekje për të rindërtuar një klub që kërkon të rikthehet në majat e futbollit europian, me apo pa Xhuntolin.