SPORT, 16 Shkurt 2026, 18:25

Ramadani tani është bërë lider i padiskutueshëm: Leçe është gjithçka për mua

Ramadani tani është bërë lider i padiskutueshëm:

Ylber Ramadani është kthyer përsëri në një nga lojtarët më të padiskutueshëm në radhët e Leçes, duke udhëhequr mesfushën e ekipit të drejtuar nga Euzebio Di Françesko në një sezon ku do ta ketë padyshim shumë më të vështirë që të sigurojë mbijetesën.

Ndeshja e sotme ndaj Kaljarit mund të jetë shumë e rëndësishme në këtë drejtim dhe duke folur para duelit për për “Sky Sport”, mesfushori i Kombëtares shqiptare ka treguar se sa e ndjen në këtë moment lidhjen me klubin ku po luan për edicionin e tretë radhazi.

“Aktualisht Leçe është gjithçka për mua. E di se çfarë do të thotë të sigurosh mbijetesën për këtë skuadër dhe këtë tokë, ndaj për mua kjo do të thotë shumë”, ishin fjalët e tij.

Ai më pas ka lavdëruar Di Françeskon dhe mënyrën se si trajneri e sheh futbollin edhe në një klub të vogël si Leçe. “Ne jemi agresivë, shkojmë gjithmonë të kapim kundërshtarin përpara. Di Françesko më ka dhënë shumë besim këtë vit, po bëjmë me të vërtetë mirë. Na ka munguar pak fati, por mua më pëlqen shumë se si na bën të luajmë”, ishin fjalët e Ramadanit.