SPORT, 30 Prill 2025, 16:01

Pëlqen bakllavanë dhe byrekun, argjentinasi i dashuruar me Shqipërinë. Tatanjelo: Ja si ndryshoi Apolonia, dua të qëndroj

Pëlqen bakllavanë dhe byrekun, argjentinasi i dashuruar me

Trajneri Matias Tatanjelo i bën një “skaner” fundit të sezonit dhe “play off”-it të Apolonisë, që ishte mundësia e dytë për t’u ngjitur në elitë, por pa sukses. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai tregon ambientimin me fierakët, “play off”-in dhe të ardhmen.

Apolonia barazoi me Besën dhe, për shkak të formulës, u eliminua. Mendoni se keni qenë të disavantazhuar në “play off”?

Nuk mendoj se Apolonia ishte në disavantazh nga formula e “play off”-it, pasi ajo është vendosur para fillimit të kampionatit. Unë besoj se ajo që e dëmtoi Apoloninë, ishte mungesa e konsistencës pozitive gjatë gjithë kampionatit. Kjo bëri që të mos renditeshim në një pozicion më të mirë.

Mendoj se është e drejtë, brenda formatit, që skuadra që renditet më mirë të ketë një avantazh të lehtë. Përndryshe, cili është përfitimi për ekipin që ishte më konsistent gjatë gjithë vitit dhe për ekipin që u rendit më i miri? Duhet të ketë ndonjë përfitim dhe mendoj se është logjike që formati të jetë në këtë mënyrë.

Çfarë nuk bëri mirë ose ku gaboi Apolonia?

Mendoj se Apolonia luajti një ndeshje të shkëlqyer. Duhet të luanim një lojë pothuajse perfekte, si në aspektin strategjik, ashtu edhe taktik. Së pari, Besa është një ekip i madh dhe luajnë futboll shumë të mirë. Së dyti, kishin avantazhin e lehtë se me një barazim do të kualifikoheshin. Pra, marzhi ynë për gabim ishte shumë i vogël. Ne nuk mund të bënim gabime. Besoj se bëmë një ndeshje të shkëlqyer.

Herë kemi luajtur më mirë se Besa e herë Besa ka luajtur më mirë se ne. Ishte një ndeshje shumë e barabartë. Mendoj se e lamë të rrëshqasë në fund për shkak të detajeve të vogla. Nuk mundëm ta përfundonim takimin më herët. Ne patëm disa raste në pjesën e parë, por nuk i kthyem në gol. Edhe në pjesën e dytë, patëm sërish disa mundësi të tjera, por nuk ishim të saktë. Besa pati një rast afër fundit dhe e shfrytëzoi. Besoj gjithashtu se kjo ishte një meritë për ta.

Shënuat të parët dhe kishit mundësi të dyfishonit, por pa sukses. U barazuat në minutën e 86-të, mendoni se meritonit më shumë?

Nuk e di nëse meritonim më shumë apo jo, sepse ndeshja ishte shumë e ekuilibruar. Ndoshta po, kemi krijuar më shumë raste goli, por nuk jam i sigurt nëse meritonim më shumë. Ishte një sfidë e barabartë, shumë e ngushtë, pa boshllëqe apo diferenca të mëdha mes dy skuadrave. Më ka mbetur ndjenja se mund të kishim shënuar një ose dy gola të tjerë, por ky është futbolli, ndonjëherë rastet që krijohen konvertohen dhe shumë të tjera nuk konvertohen. Është pjesë e këtij sporti.

Nën drejtimin tuaj, Apolonia arkivoi dy fitore dhe tri barazime, por mbi të gjitha siguroi një vend në “play off”. Jeni i kënaqur?

Sigurisht që jam i kënaqur, sepse skuadra nuk ishte në një situatë të mirë. Arritëm të qëndronim të pamposhtur, gjë që është e rëndësishme. Në çdo ndeshje që luajtëm, skuadra dukej mirë, tregoi një ide të qartë loje, unitet, strukturë të mirë në aspektin e lojës dhe organizim të mirë. Kjo është e rëndësishme në një kohë kaq të shkurtër. Besoj se bilanci i përgjithshëm është më se i kënaqshëm, sepse praktikisht në vetëm një muaj punë arritëm gjëra shumë të rëndësishme.

E morët skuadrën në një moment të vështirë, por arritët ta renditni në gjashtëshen e parë, duke konkurruar me çdo rival. Çfarë ndryshuat?

Sikurse e përmenda edhe më herët, më duhej të merrja skuadrën në një moment të vështirë. Besoj se çelësi është ndryshimi i humorit dhe i mentalitetit. Kur një ekip ndërron trajner disa herë, ata që preken më së shumti janë lojtarët, veçanërisht nga ana emocionale. Mendoj se skuadra ishte pak e ulët mendërisht dhe emocionalisht. Përtej aspekteve strategjike dhe taktike, u fokusova shumë në ndërtimin e unitetit të grupit, në krijimin e një shpirti të fortë ekipor dhe në punën e madhe nga ana mendore.

Për mua, përtej taktikave dhe strategjisë, gjendja mendore e lojtarit dhe forca emocionale janë thelbësore. Mendoj se kjo u tregua në fushë, ku pati unitet, punë ekipore dhe të palodhur. Në fund të fundit, kjo ka rëndësi. U argëtuam shumë, ndonëse punonim seriozisht dhe profesionalisht çdo ditë. Ne u kënaqëm shumë, sepse krijuam një grup të madh dhe kjo u pa në fushë.

Cila është kontrata juaj me Apoloninë, do ta vazhdoni bashkëpunimin?

Unë kisha rënë dakord për kontratën time deri në fund të këtij sezoni dhe, pasi të mbaronte, do të uleshim dhe do të bisedonim për vitin e ardhshëm, në rast se klubi donte të vazhdonte me mua. Në përgjithësi, bilanci është pozitiv. Bordi dhe klubi janë të kënaqur me punën time. Do të kem një takim me presidentin këtë javë për të diskutuar të ardhmen dhe për kontratën time.

Jam i lumtur që kam ardhur në Shqipëri dhe jam i kënaqur me mënyrën se si kanë shkuar gjërat për mua, në mundësinë time të dytë, këtu në Shqipëri. Shpresoj të qëndroj edhe për shumë vite të tjera. Ndihem vërtet mirë në Shqipëri. Ndihem rehat dhe i lumtur. Njerëzit më kanë trajtuar shumë mirë. Më pëlqen futbolli këtu, më pëlqen filozofia e futbollit shqiptar. Shpresoj të arrij një marrëveshje me Apoloninë dhe presidentin për të vazhduar në këtë klub dhe në këtë qytet.

Pëlqen bakllavanë dhe byrekun, argjentinasi i dashuruar me Shqipërinë

Trajneri argjentinas, Matias Tatnjelo, në Shqipëri erdhi për të nisur një projekt te klubi i Shirokës në Kategorinë e Tretë dhe nga fundi i sezonit u transferua në Fier. Edhe pse ka pak kohë në Shqipëri, 39-vjeçari, për “Panorama Sport”, tregoi përshtypjet e tij për vendin tonë dhe ushqimet e preferuara.

Pyetjes se çfarë pëlqen në Shqipëri dhe cili është ushqimi i tij i preferuar, Tatanjelo u përgjigj: Më pëlqen gjithçka në Shqipëri. Sinqerisht, vendi është i bukur. Ka qytete të bukura, peizazhe, pavarësisht nëse është plazh, mal apo liqen. Ka disa vende të mrekullueshme për t’u vizituar. Më pëlqen shumë të udhëtoj. Dhe sinqerisht, mezi pres të kem pak kohë të lirë për të eksploruar dhe zbuluar vende të reja. Më pëlqejnë të gjitha llojet e ushqimeve. E vërteta është se kuzhina shqiptare është shumë e pasur. Njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe miqësor. Ata më kanë trajtuar shumë mirë kudo dhe kjo e bën pak më të lehtë për një të huaj, që të humbasë më pak shtëpinë, rrënjët dhe familjen. Sa i përket ushqimit, bakllavaja është një nga të preferuarat e mia, po ashtu edhe byreku, bashkë me disa gatime të tjera tradicionale. Kam provuar pak nga të gjitha dhe ka shumë gjëra të shijshme”.