SPORT, 5 Qershor 2024, 17:45

Mbyllet gjithçka, Igor Tudor largohet nga stoli i Lazio

Mbyllet gjithçka, Igor Tudor largohet nga stoli i Lazio

Aventura e kroatit Igor Tudor te Lazio mund të konsiderohet e përfunduar, ku pavarësisht se kontrata skadon më 30 qershor 2025, divergjencat në planifikim dhe merkato, në funksion të sezonit të ardhshëm, i shtyu palët të zgjedhin ndarjen.

Palët kanë vendosur të mos vazhdojnë së bashku dhe aktualisht po punojnë për zgjidhjen e kontratës dhe sapo të zyrtarizohet “divorci” me Tudor, Lazio do të shpallë trajnerin e ri, teksa Presidenti Lotito dhe drejtori sportiv Fabiani po punojnë për të identifikuar zëvendësuesin e kroatit. Në takimet e ditëve të fundit, palët ishin përpjekur të arrinin një marrëveshje, mirëpo distancat dukeshin të pakalueshme, sidomos për çështjen e skuadrës, me Tudor që kërkonte revolucionarizimin e organikës, një ide totalisht e kundërt me atë të Lotito dhe Fabiani.

Pasi zuri vendin e teknikut Maurizio Sarri në krye të Lazio në fund të marsit të kaluar, Igor Tudor grumbulloi 18 pikë në 9 ndeshje të Serie A, me një mesatare prej 2 pikësh për ndeshje, duke zënë vendin e shtatë, ndërsa në Kupën e Italisë, “Bardhekaltrit” u eliminuan nga Juventusi në gjysmëfinale.