SPORT, 17 Tetor 2025, 15:24

Mbrojtja mbetet prioriteti i trajnerit Devolli. Pas kalimit në Kupë, Kukësi synon ringritjen ndaj Laçit

Mbrojtja mbetet prioriteti i trajnerit Devolli. Pas kalimit në Kupë,

Ekipi i Kukësit po përgatitet me ambicie për të rikthyer ritmin e fitoreve në kampionat, pas një periudhe të vështirë, ku që prej javës së parë nuk kanë njohur shijen e suksesit. Megjithatë, kualifikimi i mundimshëm ndaj Tërbunit në Kupën e Shqipërisë duket se ka zbutur disi ecurinë jo të mirë dhe ka sjellë një frymë më pozitive në kampin verilindor.

Për më tepër, ky sukses shërbeu si debutim me fitore për trajnerin e ri, Bledar Devolli, i cili e nisi me këmbën e mbarë aventurën e tij në stolin kuksian. Ndeshja e Kupës zgjati plot 120 minuta, një përballje e lodhshme, por që në fund u mbyll me festë për kuksianët, të cilët siguruan kalimin në raundin tjetër. Megjithatë, kjo ngarkesë fizike mund të ndikojë në përgatitjet e skuadrës për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Laçit. Trajneri Devolli e di mirë se objektivi kryesor është të rikthejë ekipin në “shina” dhe t’i japë fund rezultateve jo të mira në kampionat. Për momentin, fokusi kryesor është përmirësimi i fazës mbrojtëse, e cila ka qenë pika më e dobët e skuadrës në këto javë të para. Pas gjashtë javësh, Kukësi ka pësuar plot 11 gola, duke pasur një nga mbrojtjet më të dobëta të kampionatit. Tekniku gjirokastrit ka theksuar se stabiliteti defensiv dhe organizimi taktik janë çelësi për të rikthyer ekuilibrin në lojë.

Ai kërkon më shumë përqendrim, komunikim dhe disiplinë nga lojtarët e prapavijës, ndërsa në fazën ofensive pritet të shfrytëzohet shpejtësia dhe eksperienca e sulmuesve për të bërë diferencën. Skuadra ka nisur tashmë stërvitjet intensive në prag të përballjes me Laçin. Seancat e fundit janë zhvilluar me intensitet të lartë, ku po punohet si në aspektin fizik e taktik, ashtu edhe në atë psikologjik. Devolli kërkon të ndërtojë besimin brenda grupit dhe të rikthejë frymën fituese që i ka munguar Kukësit në javët e para. Përballja me Laçin konsiderohet një test i vështirë, por edhe një mundësi ideale për rikthimin e besimit dhe për t’i dhënë skuadrës moralin e duhur për vazhdimësinë e sezonit. “Verilindorët” janë të vendosur të reagojnë dhe të tregojnë se kanë potencialin për t’u ngjitur sërish në zonat e sipërme të tabelës, aty ku Kukësi është mësuar të qëndrojë.