SPORT, 21 Shtator 2022, 22:43

Luka Modriç e ka vendosur, zbulohet kur mesfushori do të mbyllë karrierën

Luka Modriç e ka vendosur, zbulohet kur mesfushori do të mbyllë

Luka Modriç ka vendosur që karriera e tij do të zgjatë të paktën edhe për dy vite e më pas, do të varë këpucët në gozhdë i qetë. Vendimi i mesfushorit kroat të Real Madrid është zbuluar nga një prej pjesëtareve të stafit të përfaqësueses së vendit të tij dhe konfirmuar edhe nga spanjollja “AS”.

Zoran Bahtjareviç, mjeku i parë i përfaqësueses kroate, i ka dhënë lamtumirën kësaj të fundit me një letër të hapur falënderimi dhe ndërmjet rreshtave shkruhet qartësisht “Luka Modriç ka vendosur që të vazhdojë karrierën deri në Kampionatin Europian”. Frazë e rëndësishme e shprehur nga një person i cili ka ndjekur rregullisht formën fizike të Modriç në këto vite e lë pak vend për dyshime.

E përditshmja “AS” thekson se Modriç ka vendosur që të luajë deri në verën e vitit 2024, kur të zhvillohet Europiani në Gjermani, gjithmonë nëse ia lejon fiziku. Kontrata e tij me Realin mbaron në verën e vitit 2023, por madrilenët janë gati ta zgjatin edhe për një tjetër edicion, duke parë se ai është në një formë të shkëlqyer fizike.

Kështu, lojtari do të ketë mundësinë të luajë në nivelet më të larta deri në Europianin e vitit 2024, i cili mendohet se do të jetë aktiviteti i fundit në të cilin do të marrë pjesë. Më pas, e pret një rol drejtuesi në “Santiago Bernabeu”, pasi klubi i ka bërë të qartë se dëshiron që ta mbajë në një detyrë tjetër edhe kur të mos jetë më protagonist në fushën e lojës.