SPORT, 27 Maj 2025, 22:11

Largimi i heshtur i Konseisaos nga Milani, bëhet opsion për pankinën e rivalëve të kuqezinjve

Largimi i heshtur i Konseisaos nga Milani, bëhet opsion për

Serxhio Konseisao i ka dhënë lamtumirën pa shumë bujë Milanit, duke u zhdukur në heshtje të plotë. Trajneri i kuqezinjve, i pezulluar në javën e fundit të kampionatit nuk u shfaq para mediave dhe nuk bëri as analizën e plotë siç kishte premtuar disa javë më parë.

Portugezi i afruar me shumë bujë, e mbylli njëlloj si paraardhësi i tij Fonseka dhe u largua po me të njëjtin status të dështimit nga klubi kuqezi që e mbylli sezonin pa siguruar as një vend në Kupat e Europës. Milani pret vetëm fundin e muajit që të bëjë zyrtare lamtumirën e teknikut, i cili do të largohet kësisoj nga kuqezinjtë vetëm me trofeun e Superkupës së fituar në ndeshjen e tij të para në drejtim.

Por kjo ndoshta nuk është një lamtumirë nga Seria A. Sipas mediave italiane, Konseisao mund të kthehet në alternativë për një klub rival të kuqezinjve, Lacion, që kërkon një emër të ri për stolin meqenëse pritet të ndajë rrugët shumë shpejt me Marko Baronin.