SPORT, 30 Qershor 2026, 09:26

Lamtumirë në lot/ Dramë për Holandën e Gjermaninë, Maroku dhe Paraguai i eliminojnë pas 11 metërshave! Në 120 minuta lojë skuadrat barazuan 1-1

Lamtumirë në lot/ Dramë për Holandën e Gjermaninë,

Ndodh surpriza e parë e madhe në Kupën e Botës 2026. Gjermania, katër herë kampione e botës është jashtë turneut pasi e pa veten të eliminohej sot nga Paraguai në fazën e 1/16-ave. Në Boston ndeshja ishte dramatike pasi për 120 minuta skuadrat barazuan 1-1, duke ia lënë vendin 'ruletës së penalltive'. Nga pika e bardhë skuadra amerikano-latine ishte më e saktë duke fituar 4-3. Në raundin e 1/8-ave Paraguai do të ndeshet me fituesin e çiftit Francë - Suedi.

NDESHJA - Pjesa e parë e sfidës foli për Paraguain, me ekipin e Gustavo Alfaro që e mbylli pjesën e parë në epërsi 0-1 pas golit të shënuar nga Julio Enciso në minutën e 42-të. Fraksioni i dytë solli edhe golin e barazimit për Gjermaninë me Kai Havertz në minutën e 54-t.

Në minutën e 102-të Jonathan Tah shënoi golin e dytë për Gjermaninë, por VAR-i 'ngriu festën' duke anuluar gjithçka për një faull. Pas 120 minutave dhe rezultatit 1-1 të dyja skuadrat u paraqitën përpara pikës së bardhë të penalltisë.

Paraguai ishte më i saktë duke fituar 4-3. Për Gjermaninë gabuan Havertz, Woltemade dhe Tah, teksa portieri i Paraguait, Orlando Gill, priti dy penallti të 'Panzerave'.

Kjo ishte ndeshja e fundit e portierit Manuel Neuer me Gjermaninë. Veterani ishte tërhequr më herët nga futbolli ndërkombëtar, por një thirrje e Julian Nagelsmann e riktheu në ekip. Ai priti një 11 metërsh, por nuk mundi të bënte më shumë.

HISTORIA - Në ndeshjen e vetme të mëparshme të Kupës së Botës midis këtyre dy ekipeve, Gjermania mundi Paraguain 1-0 në raundin e 1/8-ave në turneun e vitit 2002. Pothuajse një çerek shekulli më vonë, Paraguai 'mori hak'.

Paraguai ishte paraqitur në pesë ndeshje të mëparshme eliminatore në Botëror, por nuk kishte arritur të shënonte në asnjërën prej tyre. Ata u kualifikuan vetëm një herë në rastet e mëparshme, duke fituar me penallti kundër Japonisë në raundin e 1/8-ave në turneun e vitit 2010 në Afrikën e Jugut. Atë vit humbën në çerekfinale ndaj Spanjës, e cila më pas u shpall kampione.

Kjo ndeshje ishte e para eliminatore e Gjermanisë që nga finalja e vitit 2014 në Brazil, kur gjermanët mposhtën Argjentinën 1-0 për të fituar titullin e katërt të Kupës së Botës.

Pas Gjermanisë, edhe Holanda i jep lamtumirën Botërorit 2026. 'Tulipanët' barazuan 1-1 kundër Marokut në fazën e 1/16-ave mëngjesin e sotëm me orën shqiptare, por 'ruleta e penalltive' foli për afrikanët të cilët fituan 3-2 duke marrë biletën për në fazën e 1/8-ave, aty ku i pret Kanadaja.

NDESHJA - Dueli nisi me kujdesin e të dyja skuadrave për mos u hedhur në aventurë, ndërsa 45 minutat e para u mbyllën 0-0 edhe pse Maroku ishte më kërkues. Nisja e fraksionit të dytë pa afrikanët me disa raste të pastra, por Verbruggen në portë bëri shpëtimtarin për holandezët.

Cody Gakpo hapi serinë e rezultatit për holandezët, por goli i barazimit në kohën shtesë i Issa Diop çoi në kohën shtesë përpara se Maroku të fitonte përfundimisht.

Kur u duke se 'Tulipanët' do të merrnin suksesin, në shtesën e parë një pasim i Talbi bëri që Diop me kokë të barazonte rezultatin në 1-1, duke i dërguar skuadrat në një shtesë më të madh prej 30 minutash. Edhe pse Maroku pati disa shanse të mira, ndeshja u mbyll 1-1 pas 120 minutave lojë dhe gjithçka u vendos nga pika e bardhë e penalltive.

Kluivert, Timer dhe Summerville gabuan për Holandën, duke bërë që Maroku të tregohej më i saktë për të marrë të drejtën e kalimit më tej (3-2 pas penalltive).

Në minutën e 72-të Summerville përfitoi nga shpejtësia e tij, teksa pasoi për Cody Gakpo edhe pse ishte i rrëzuar në tokë. I vetëm përballë portierit Gakpo nuk gaboi dhe kaloi Holandën në epërsi. Sulmuesi tre ditë më parë përjetoi një tragjedi, pasi së bashku me bashkëshorten humbën foshnjën e palindur. Gol, lot dhe sytë në qiell me lutje nga Gakpo.

Lamtumirë në lot/ Dramë për Holandën e Gjermaninë,