SPORT, 4 Qershor 2025, 22:00

“Kurrë mos thuaj kurrë”, Kieza do rikthimin në Torino: Mota më tha që nuk më donte më

“Kurrë mos thuaj kurrë”, Kieza do rikthimin në

Pas një sezoni të fituar në Premier Ligë me Liverpulin, por jo si protagonist i plotë, Federiko Kieza është rikthyer në Itali, në Versilia, me mendjen tashmë të fokusuar te sezoni i ri, që për skuadrën angleze do të nisë me grumbullimin më 8 korrik.

Megjithatë, në mendimet e sulmuesit italian nuk mungon Juventusi, klubi ku ai kaloi katër vite, dhe që vazhdon të ketë një vend të veçantë në zemrën dhe shpirtin e tij.

Në një intervistë ekskluzive për “La Gazzetta dello Sport”, Kieza sqaron pa drojë arsyet e largimit nga Torino në verën e kaluar. “A pendohem që u largova nga Juve? Jo, pse duhet? Nuk më është ofruar kurrë rinovimi. Kishim pasur kontakte pas Europianit, por më pas askush nuk më kontaktoi më”.

BISEDA ME MOTËN– Në momentin e kthimit nga pushimet pas martesës, ai tregon se trajneri Tiago Mota i kishte komunikuar qartë se nuk ishte më pjesë e planeve të tij.

“Nuk bën pjesë në projekt, gjej një skuadër tjetër”. Megjithatë, Kieza tregon respekt të madh për Juventusin dhe tifozët e tij. A u ndjeva si i lënë jashtë skuadrës? Jo, sepse u stërvita me disa lojtarë në të njëjtën situatë.

Nga dita e parë ishin të qartë me mua dhe më bënë të punoja me skuadrën për dy javë, më pas Mota nuk më donte më. Jam profesionist dhe vazhdova të stërvitem për të gjetur një skuadër tjetër. Më vjen keq sepse e dua shumë Juventusin dhe mendova se mund të jepja edhe shumë”.

RIKTHIMI NË TORINO- Kieza nuk e përjashton mundësinë e një rikthimi në Torino. “Kurrë mos thuaj kurrë”, shprehet ai. Në një bisedë të hapur, ai flet edhe për marrëdhëniet me trajnerët e tij. “Janë thënë shumë gjëra, por kam shumë respekt për Maks Alegrin. Ai është një njeri fitues. Për mua, Milani është një zgjedhje e madhe.

Alegri më ndihmoi të kuptoj se mund të luaja si sulmues i dytë dhe të zgjeroja horizontet e mia. Souza më ndihmoi të bëja debutimin në Serinë A, me Mancinin arrita kulmin në Europian, por Alegri më dha shumë në rritjen personale dhe stilin e lojës. Ai më telefonoi në shtator për të më uruar fat para se të nisesha për Liverpul.

Ishte shumë i sjellshëm”. Kështu, Federiko Kieza, me sinqeritet dhe emocion, bën të qartë se ndonëse rruga e tij vazhdon në Angli, ai nuk ka harruar kurrë rrënjët dhe dashurinë për bardhezinjtë e Juventusit.