SPORT, 7 Qershor 2024, 18:56

Kieza lodhet me Juventusin, Ramadani takim me Romën

Kieza lodhet me Juventusin, Ramadani takim me Romën

Edhe pse Tiago Mota nuk ka nënshkruar ende zyrtarisht me Juventusin, ardhja e tij në Torino shkakton menjëherë shumë zhurme. Mesa duket, zërat e periudhës së fundit se njeriu i mrekullive në Bolonja nuk e sheh si të nevojshëm Federiko Kiezën kanë marrë konfirmime ditën e djeshme teksa të gjitha mediat italiane në kor kanë garantuar se Fali Ramadani ka caktuar një takim zyrtar për javën e ardhshme në kryeqytetin italian.

Shqiptari nga Maqedonia, i cili e ndjek Kiezën që në moshë shumë të re njihet për reputacionin e tij të fortë, gati të ashpër dhe nuk pranon kurrë që klientëve të tij mos u ofrohet respekt. Dhe fakti që asnjë nga drejtuesit e Juventusit nuk ka dalë që të përgënjeshtrojë zërat se Tiago Mota nuk e do me të vërtetë në skuadrën e tij liderin e Kombëtares së Italisë, kjo ka bërë që vetë Ramadani të vihet në lëvizje për t’i gjetur një sistemim të denjë 26-vjeçarit. Dhe fakti që Roma ka këmbëngulur për Kiezën që në sezonin e kaluar, kur ishte Zhoze Murinjo në stol, ndoshta ëndrra e madhe e radhës së “Ujkonjës”, pasi arriti që të bindë Paulo Dibalën, gjithashtu i ardhur nga fundi i aventurës me Juventusin, mund të bëhet realitet këtë verë. Federiko Kieza është në vitin e fundit të kontratës së tij me “Zonjën e Vjetër” dhe pa dyshim që duke parë edhe frenimin e tratativave për rinovimin e marrëveshjes, futbollisti nuk ndihet shumë i lumtur nga trajtimi që po merr.

Në të njëjtën kohë, vetë Juventusi nuk do të ketë asnjë mundësi që ta frenojë duke qenë në skadencë kontrate. Përkundrazi Kieza mund t’i vërë kushte strikte për të zgjedhur një tjetër klub, ose nga janari i vitit 2025 mund të firmosë pa lejen e bardhezinjve me këdo në Europë. Gjithsesi, të qenit në vitin e fundit të kontratës me Juven ul ndjeshëm edhe vlerën e lojtarit, e cila tani përflitet të jetë mes 30-35 milionë eurove dhe jo më 60-70 saç refuzoi verën e kaluar “Zonja e Vjetër”, kur Njukasëlli dhe Aston Vila ishin hedhur në sulm. Tani pritet vetëm të mësohet javën e ardhshme sesi do të shkojë takimi i caktuar nga menaxheri Fali Ramadani me drejtuesit e Romës, për të ardhmen e Kiezës.