SPORT, 15 Qershor 2024, 23:02

Italia mposht Shqipërinë me rezultatin 2-1

Italia mposht Shqipërinë me rezultatin 2-1

Shqipëria nuk ia doli të realizonte ëndrrën e një populli të tërë. Italia, në sfidën e parë të rrugëtimit, në Euro 2024 kanë mundur në “Signal Iduna Park”, “Legjionarët” e Shqipërisë, me rezultatin e ngushtë, 2-1.

Pavarësisht se fitorja i takoi Italisë, goli i parë i sfidës erdhi nga  Nedim Bajrami, i cili shënoi golin më të shpejtë në historinë e një Evropiani, pas vetëm 22 sekondash lojë, duke shtangur kundërshtarët e duke nisur festën e “kuqezinjve” në tribunat e mbushura plot të “Signal Iduna Park”.

Megjithatë, vetëm 15 minuta më pas gjithçka ndryshoi me djemtë e teknikut, Luciano Spalletti, që shënuan dy herë në portën e “Legjionarëve”, me dyshen “Zikaltër”, Bastoni-Barrella, me “shtatlartin” e mbrojtjes, që dërgoi me kokë në rrjetë, një krosim të Dimarco, ndërsa ylli i mesfushës mposhti portierin Strakosha, me një goditje nga jashtë zone dhe aq mjaftoi për të siguruar 3 pikët e plota në sfidën e parë.

Falë këtij rezultati, “Të Kaltërit” e Luciano Spalletti pozicionohen në vendin e 2-të, të Grupit B, me pikë të barabarta me Spanjën, por me një golavarazh më negativ se këta të fundit, ndërsa kuqezinjtë tanë vendosen në vendin e 3-të, pasi pësuan 2 gola e shënuan 1, duke e mbajtur bilancin, në -1, ndryshe nga tre golat e pësuar nga Kroacia, me këta të fundit, që do të përplasemi, në sfidën e radhës, të Evropianit, më 19 qershor, në “Volksparkstadion”, të Hamburgut.