SPORT, 23 Qershor 2024, 18:59

Gjimshiti: Do të bëjmë më të mirën nesër dhe besoj se do e bezdisim Spanjën

Gjimshiti: Do të bëjmë më të mirën nesër dhe

Shqipëria vijon me përgatitjet për takimin me Spanjën, në të cilin duhet vetëm fitorja. Në konferencën përpara ndeshjes, kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, u shpreh se skuadra do të përpiqet ta bezdisë Spanjën, teksa nuk e ka mendjen te gjobat e dhëna nga UEFA.

“Besoj që gjithë çunat janë gati për sfidën nesër. Sidomos është që jemi akoma në garë dhe kemi shans për t’u kualifikuar. Do të bëjmë më të mirën nesër dhe besoj se do e bezdisim Spanjën.

Besoj se nuk ndikon aspak, sepse dhe formacioni i dytë i Spanjës është në të njëjtin nivel me të parin. E dimë kë kemi përballë dhe besoj se kjo është gjëja më e rëndësishme. Nuk besojmë se do të luajnë me formacionin e dytë si shumë të tjerë. Besojmë se ata do të luajnë me formacionin e parë dhe ne do të përgatitemi njësoj.

Daku ka bërë një gabim dhe ka kërkuar falje. Nesër duhet të përgatitemi për ndeshjen. Kemi një kundërshtar shumë të vështirë dhe mendoj se kjo është e vetmja gjë që duhet të fokusohemi.

Asgjë nuk është e pamundur në jetë. Patjetër që do të jetë një ndeshje e vështirë. Do të jemi aty. Kemi mundësi për të treguar pse kemi ardhur deri këtu. Të rrezikojmë dhe të japim më të mirën.

Gjobat? Këto janë gjëra për të cilat kujdeset UEFA. Arsyeja kryesore pse jemi këtu është për të luajtur ndeshjen nesër. Do të kemi shumë tifozë që do të na përcjellin nesër dhe duhet të besojmë”, tha Gjimshiti në konferencë.