SPORT, 24 Shtator 2022, 14:14

Dy skenarët e mundshëm të rikthimit të Lionel Messit te Barcelona, drejtuesit katalanas e kanë seriozisht

Dy skenarët e mundshëm të rikthimit të Lionel Messit te

Barcelona po mendon seriozisht për rikthimin e bujshëm të Lionel Messit. Siç raporton “Mundo Deportivo”, presidenti i klubit spanjoll Laporta ka në mendje që të rregullojë mosmarrëveshjen me argjentinasin dhe të studiojnë së bashku mënyrën më të mirë që ai të kthehet në “fole”.

Ka shumë ide në diskutim: nga rikthimi i tij si futbollist (që sipas asaj që shkruajnë në Spanjë mund të ndodhë në verën e vitit 2023, me skadimin e kontratës me PSGnë) deri tek ai me rolin e ambasadorit të klubit, pasi t’i ketë varur “këpucët në gozhdë”.

Për Barcelonën do të kishte shumë përparësi, veçanërisht në aspektin e marketingut. Nga pikëpamja teknike, synimet e ardhshme të klubit blaugrana duhet të sqarohen, por sipas gazetës spanjolle, Xavi do të ishte i lumtur “ta përqafonte” sërish bashkëlojtarin e tij të vjetër.

Messi aktualisht është i fokusuar në sezonin e dytë te Paris Saint Germain dhe Kupa e Botës. Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” i shtyu të gjitha mendimet për të ardhmen e tij në fund të këtij sezoni.

Marrëdhënia e tij me Laportën, pas lotëve të ndarjes verën e vitit të kaluar, duket se është përmirësuar. Të dy janë dëgjuar shpesh gjatë muajve të fundit me telefon. Ndër pengesat për rikthimin e tij të mundshëm si lojtar është politika e re që lidhet me masën e pagave. Barcelona në vitin e fundit ka kërkuar nga shumë emra të mëdhenj uljen e pagave.